Erald Lakti është duke hedhur hapin e madh në karrierë. Mesfushori i Kombëtares U-19, dje, ka qenë i pranishëm në qendrën sportive të Fiorentinës, ku së bashku me futbollistët e skuadrës së Serisë A ka kryer testet mjekësore në prag të edicionit të ri futbollistik.

Futbollisti 19-vjeçar është një nga elementët e spikatur te skuadra e të rinjve vjollcë, në të cilën mban edhe shiritin e kapitenit. Me këtë vendim të drejtuesve dhe stafit teknik të klubit, Lakti bëhet gati që të ketë edhe më shumë prezenca në skuadrën e parë të Serisë A.

 

Lakti9

 

Kapiteni – Në një prononcim për “Panorama Sport”, Lakti tregon sezonin e fundit personal. “Jam shumë i kënaqur me çfarë kam treguar për skuadrën në sezonin e fundit. Kam shënuar një gol dhe kam dhuruar një asist. Gjithashtu, jam kapiten i Fiorentinës U-19, që është diçka e rëndësishme për mua, pasi më jep shumë përgjegjësi”, tregon Lakti.

 

Lakti4

 

Ekipi i parë – Shumë futbollistë të ekipeve të të rinjve në Itali (primavera) e gjejnë veten shpesh pjesë të skuadrave të para, qoftë edhe në Serinë A.

 

Praktikë e njohur nga italianët, të cilët bëjnë të mundur për djemtë 19-vjeçarë që të stërviten me skuadrën A për t’u rritur fizikisht, për të fituar eksperiencë dhe për t’u ambientuar me ambientin në dhomat e zhveshjes e për t’u bërë gati për kalimin në skuadrën A. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe me shqiptarin që është ftuar shpeshherë nga skuadra e Serisë A.

 

“Unë kam bërë shumë herë stërvitje me skuadrën e parë. Edhe në ndeshjen e fundit të sezonit që lamë pas, isha në stolin e rezervave në sfidën për Serinë A. Personalisht, shpresoj shumë që këtë vit ta bëj fazën përgatitore me ekipin e parë”, vijon futbollisti i Fiorentinës U-19, i cili rrëfen edhe atmosferën në dhomat e zhveshjeve të skuadrës vjollcë.

 

Lakti Fiore

“Në ekipin e parë më bën përshtypje serioziteti që mbizotëron në stërvitje, ndonëse është një grup ku dallohet që e kanë qejf humorin dhe janë të lidhur mes tyre. Sa i përket lojtarit më serioz, mund të veçoj kapitenin Pezela”, deklaron Erald Lakti.

 

Kombëtarja – Mesfushori është pjesë e Kombëtares U-20 të Shqipërisë dhe ka kaluar të gjitha shkallët e ekipeve zinxhir. “Kam qenë pjesë e U-17 dhe U-19, ndërsa tani pres ftesë nga ekipi U-21. Gjithmonë me synimin për të bindur Kombëtaren A, për të qenë sa më shpejt pjesë e saj. Italia? Është vendi ku jam rritur dhe që më ka ofruar kushtet për të arritur në këto nivele ku jam sot. Mirëpo, unë gjithmonë do të kem gjakun shqiptar.

 

Lakti5

Nëse do të ekzistojë një pyetje nga kombëtarja e Italisë, gjë të cilën nuk e kam menduar asnjëherë pasi nuk më ka ardhur një ftesë, them se do ta mendoj gjatë. Do ta mendoj gjatë dhe së bashku me prindërit do të merrja një vendim. Idhulli? Gatuzo”, përfundon Erald Lakti, kapiteni i Fiorentinës U-19 dhe futbollisti i Kombëtares U-20 të Shqipërisë./panorama-sport/