✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Në ndeshjen e së shtunës ndaj Egnatias i mjaftonte një gol për të kapur shifrën 800 të golave të shënuar në kampionatin shqiptar. E kemi fjalën për Megi Doçin. Ndaj ekipit rrogozhinas ajo shënoi në fakt dy herë dhe to kapi shifrën e 801 golave të shënuar ndeshjet e kampionatit.
Një shifër e jashtëzakonshme e një futbollisteje që është kthyer në simbolin e futbollit të femrave në vendin tonë. Ajo po shkëlqen nga ndeshja në ndeshje dhe vazhdon të shënojë pambarimisht.
Tashmë e kapi edhe shifrën e 800 golave në kampionat dhe me siguri që nuk do të ndalet këtu, por do të tentojë të vendosë të tjera rekorde. Doçi
Në shifrën e 801 golave të shënuar deri më tani shumicën padyshim që e ka shënuar me fanellën e Vllaznisë, skuadër me të cilën vazhdon të luajë sërish. Plot 745 i ka shënuar me skuadrën shkodrane, 30 me Adën, 22 me Tirana AS dhe 4 me skuadrën e saj të parë, Dardania.
Nëse do t’i shtojmë edhe shifrat e golave të shënuar në ndeshjet e Kupës, ato të Kupave të Europëa dhe ato me kombëtaren, sigurisht që kjo shifër do të bëheej edhe më e madhe dhe kjo do ia rriste edhe më shumë vlerat kësaj futbollisteje e cila sigurisht që nuk do të ndalet këtu, por do të vazhdojë të bëjë atë që di të bëjë më mirë: Të shënojë në portat kundërshtare!









