Shkodrani Anton Qafarena bëhet I pari volejbollist shqiptar që do të luajë në kampionatin më të fortë në Europë, Serinë A italiane. Ai ka firmosur ditët e fundit me ekipin e Veronës dhe ka nisur menjëherë stërvitjen me të.

Ky padyshim që është një sukses I jashtëzakonshëm për këtë sportist I cili është vetëm 24 vjeç por po njeh rritje nga viti në vit në karrierën e tij. Në sezonin 2016-2017 ndihmoi Vllazninë të fitonte të parin dhe të vetmin titull kampion në historinë e saj.

Më pas, Qafarena u largua drejt Gjermanisë duke firmosur me ekipin “Bissons Buhl” dhe luajti me të për një periudhë trevjeçare. Aktivizimi me këtë ekip dhe luajtja me sukses në Bundesligën gjermane, njërin nga kampionatet më të forta të kontinentit, i hapi rrugën e suksesit dymetroshit shkodran.

Si rrjedhojë, në sezonin e kaluar ai mori ofertë nga ekipi ukrainas “Barkom Kazhani” me të cilin luajti për një vit dhe arriti të fitonte të tre trofetë e këtij vendi, titullin kampion, Kupën dhe Superkupën e Ukrainës. Drejtuesit e “Barkom Kazhani” kanë tentuar t’ia rinovojnë kontratën volejbollistit të kombëtares shqiptare, por ai mori shumë oferta dhe në fund vendosi t’I thotë “po” asaj të “Verona Volley”.

Përmes një lidhje telefonike nga Bullgari ku është duke u stërvitur me ekipin e tij të ri, Qafarena është shprehur se arsyeja kryesore që e ka bindur atë për të firmosur me këtë skuadër, është aktivizimi në Seria A italiane, që është edhe kampionati më I fortë në Europë.

Në këtë mënyrë, tashmë për të janë hapur mundësi të reja dhe ai padyshim që do të bëjë më të mirën për të treguar vlerat e tij si një volejbollist shumë cilësor. Fakti që është I pari shqiptar që do të luajë në këtë kampionat, është një arritje e jashtëzakonshme, por Anton Qafarena nuk ka ndër mend të ndalet këtu./SHKODRA-SPORT.COM/