Shkruar nga Gjergj KOLA
Paraqitjet e mira të bëra me ekipin Sassuolo U20 gjatë muajit shkurt kanë bërë që portieri shkodran Gabriel Guri të përzgjidhet nga klubi italian si njëri prej katër futbollistëve që po votohen në faqen zyrtare të tij për të fituar çmimin “Lojtari i muajit”.
Sigurisht që ky është një vlerësim maksimal sepse të përzgjedhur janë edhe nga ekipi i parë i Sassuolos apo dhe nga ekipi i femrave i këtij klubi. Konkretisht katër të përzgjedhurit për këtë votim janë futbollistja Philtjens, portieri shqiptar Gabriel Guri për pritje deçisive në ndeshjen e Kupës së Italisë kur i dha kualifikimin ekipit të tij dhe po ashtu edhe dy lojtarët e ekipit të parë, Pinamonti për elegancën e tij dhe Berardi për kundërsulmin e shpejtë.
Tashmë të gjithë tifozët e ekipit të Sassuolos por edhe të tjerë kanë mundësi të votojnë në faqen e klubit për të zgjedhur të preferuarin e tyre dhe të qënurit në mes të nominuarve, është padyshim një sukses edhe për shkodranin Guri.
Ky i fundit pas një eksperience shumë pozitive në Francë ku u shpall kampion me PSG, tashmë po luan sezonin e tij të parë në kampionatin U20 të Italisë dhe po spikat me paraqitjet e tij. Kjo padyshim që konsiderohet sukses dhe një kënaqësi për këtë duhet të kenë edhe trajnerët që e kanë stërvitur tek Ada dhe Murlani, ekipe me të cilat ka luajtur para se të largohet nga Shqipëria.
Po ashtu, krenar duhet të jetë edhe menaxheri shkodran Benardin Kulla i cili i dha mundësinë për të firmosur me Sassuolon dhe ai po ia justifikon më së miri me paraqitjet e tij, por njëkohësisht duke i hapur rrugën vetes edhe për vazhdimësinë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



