Nga Gjergj KOLA
Një lajm i shkëlqyer për sulmuesin 16 vjeçar shkodran Majkol Luka. Ai tashmë është bërë pjesë e agjensisë së mirënjohur të menaxhimit të futbollistëve Lian Sport që drejtohet nga shqiptari shumë i njohur Fali Ramadani.
Luka i cili luan me Fiorentinën në kampionatin italian të moshave dhe njëkohësisht është edhe kapiten i kombëtares U17 të Shqipërisë është ndjekur prej kohësh prej pjestarëve të kësaj agjensie dhe si rrjedhojë ata janë bindur plotësisht për aftësitë e tij, përderisa kanë firmosur me të dhe e kanë bërë pjesë të Lian Sports.
Pjesë e kësaj agjensie siç dihet janë edhe emra shumë të njohur të futbollit europian e botëror dhe në mesin e tyre nuk mungojnë edhe futbollistët shqiptarë. Bëhet fjalë për Ylber Ramadanin, Nedim Bajramin, Medon Berisha, Cristian Shpendin, Adrion Pajaziti etj dhe tashmë pjesë e saj do të jetë edhe shkodrani Majkol Luka.
Një gjë e tilë është bërë e ditur në rrjetet sociale si nga agjensia por edhe lojtari dhe kjo padyshim që është një arritje për të sepse do të ketë nga pas një emër si Fali Ramadani dhe kjo do të thotë se Majkol Lukën e pret një e ardhme shumë e mirë në futboll.
Ai është vetëm 16 vjeç, luan në rolin e qendërsulmuesit dhe të gjithë specialistët po flasin mirë për të. Është nën kontratë me Fiorentinën deri më 30 qershor 2027 dhe më pas mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm.(www.shkodrasport.com)








