Fati i skuadrës së Granadës për këtë sezon varet nga ajo që do të bëjë Myrto Uzuni. Shqiptari ka qenë sulmuesi i vetëm në formë te kjo skuadër në edicionin aktual dhe nuk është aspak rastësi që me 22 golat e tij udhëheq renditjen e golashënuesve më të mirë të La Liga 2.

Ai ka qenë sulmuesi i vetëm i skuadrës që ka shënuar në 9 ndeshjet e fundit dhe kjo tregon qartësisht se çdo shpresë që ka Granada për ngjitjen direkte pa kaluar nëpërmjet play-off, do të varet nga ajo që do të bëjë futbollisti shqiptar në tre javët e mbetura nga sezoni i rregullt.

Granada ka një pikë më pak se Las Palmas dhe Eibar që mbajnë dy vendet e para në renditjen e La Liga 2 që të çon direkt në elitë dhe do të duhet të fitojë të tre ndeshjet e mbetura që ta arrijë një gjë të tillë.

Për t’u motivuar për sfidat e radhës, duke filluar nga ajo ndaj Lugo, Granada ka zgjedhur të postojë në rrjetet sociale një video të Uzunit duke shënuar një penallti. Dhe nuk është rastësi që e quan “i pagabueshmi” në etiketimin e videos, pasi Uzuni ka gjuajtur 7 penallti në këtë sezon dhe i ka realizuar të gjitha, duke qenë perfekt në këtë statistikë.