Mbyllja e fazës së parë të Superiores tregon edhe trendin sa u përket paraqitjeve dhe mënyrës se si interpretojnë skuadrat ndeshjet brenda dhe jashtë fushës së tyre, duke treguar dy tablo krejtësisht të ndryshme për shumë ekipe.

Për shembull Teuta, është skuadra e cila ka siguruar më shumë pikë në fushën e saj, 13 të tilla në 5 ndeshjet e luajtura, duke qenë ende e pamposhtur. Por ajo që bie në sy në fakt është se nëse në shtëpi ekipi durrsak ka qenë thuajse i pagabueshëm edhe me golavarazhin 6-1, jashtë fushës transformohet në një skuadër krejtësisht tjetër.

Teuta ka fituar vetëm 2 pikë në 4 ndeshjet e luajtura jashtë, me 1 gol të shënuar e 5 të pësuar, që tregon se ekipi ka shumë punë për të bërë për të korrigjuar këtë defekt të shfaqur në fazën e parë.

Ndërkohë, Partizani kryesues ka bërë më shumë pikë jashtë fushe, 9, sesa në shtëpi, 8, ku gjithsesi duhet theksuar se nuk ka njohur ende shijen e humbjes e për më tepër ka zhvilluar një ndeshje më pak.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Vllazninë e vendit të tretë në klasifikim, pasi shkodranët kanë marrë në shtëpi vetëm 7 pikë, kundrejt 8 në transfertë. Nëse në shtëpi janë mundur 2 herë deri tani, kuqeblutë nuk e njohin ende shijen e humbjes në fushën kundërshtare.

Kuptohet që në të dy rastet, ekipet që mbyllin renditjet e ndeshjeve brenda dhe jashtë fushe për fazën e parë janë ato që mbyllin edhe tabelën e klasifikimit, Luftëtari dhe Flamurtari, me vlonjatët të vetmit që nuk kanë mundur të marrin asnjë pikë jashtë fushës së tyre. /vipsport/