Traineri i Vllaznisë në basketboll për të rinj, Roland Koka shprehet i shqetësuar për ekipin e tij teksa kërkon më shumë vëmendje nga “Sport Klub Vllaznia” për këtë skuadër. Koka u shpreh për gazeten pas dy fitoreve brenda 24 orëve me Tiranën në transfertë dhe Skënderbeun në Shkodër. Duke parë ecurinë e mbështetjen e ekipit të parë të Vllaznisë, të njëjtën gjë kërkon edhe për brezin e ri. “Mendoj që Klubi Vllaznia duhet ta hedhë shikimin mjaft tek ky brez i ri, tek ky ekip mjaft simpatik me lojtarë të gjatë bashkohor e jo vetëm me gjatësi të admirueshme por edhe me teknikë. Të realizohs këtë pikavarazh tregon qartë se kanë vlera, mbi 4-5 herë kanë arritur që të bëjnë zhytje nga lart, ndoshta nuk është një faktor por një vlerë është ndaj them se Sport Klub Vllaznia duhet të tregojë më shumë interes ndaj këtyre djemve të rinj me forma që e di vetë Klubi në mënyrë që ti ketë më afër dhe ti stimulojë këta lojtarë që të punojmë pak më shumë”. I pyetur nëse mungon interesi Kokaj deklaroi: “Ka interes por jo aq sa duhet”. Traineri i të rinjve nuk kërkon të marrë meritat për sukseset e ekipit të parë të Vllaznisë që fitoi Kupën por tregoi se pjesa më e madhe e atyre basketollistëve janë përgatitur nga ana e tij. “Në ekipin e parë janë pothuajse 90% e lojtarëve që kam përgatitur unë por përveç këtyre ka basketbollistë të mi që luajnë edhe me ekipet e kryeqytetit dhe në Kosovë. Gjithë bashkë i kemi përgatitur, s’mund të them se veç unë por pasi i kam stërvitur unë kanë kaluar tek ekipi i të rriturve. Dua ti falenderoj ata djem se po na e shpërblejnë punën me nivelin e tyre cilësorë dhe me një lojë mjaft simpatike. Ata kanë arritur që ta mbushin pallatin e sportit me vlerat shumë të mira që kanë”. Sa i takon skuadrës që drejton trajneri Koka tha se me Tiranën ka fituar 78-55 dhe pa kaluar 24 orë triumfuan ndaj Skënderbeut në Shkodër me rezultatin e thellë 93-19. 171 në dy ndeshje brenda pak orësh janë një sinjal mjaft i qartë për të ardhmen. “Ishte ndeshja e 8-të me Tiranën ku fatmirësiht ekipi tregoi vlera. Brenda 24 orëve kemi zhvilluar dy ndeshje. Te dy ndeshjet rezultuan me shumë sukses. Me Tiranën, një skuadër me mjaft nivel, Vllaznia arriti që të bëjë një lojë të bukur në mbrojtje e me një kundrasulm të fuqishëm. Arritëm të fitojmë në shifrat 78 – 55. Ndaj Skënderbeut mendova se ekipi do të ishte i lodhur por përgatitja fizike e tyre ishte mjaft e lartë dhe vetë rezultati 93-19 në favorin tonë përballë një ekipi si Skënderbeu tregon se skuadra jonë ka vlera. Do të dëshiroja që basketbollistët e mi të mos dehen nga këto suksese sepse faza e parë nuk ka mbaruar akoma dhe kemi ende ndeshje të tjera. Do të mundohemi që të rritemi më shumë dhe të ndjekim ekipin e të rriturve. Rruga për fitimin e titullit kampion është e gjatë për ne megjithatë besoj se do të arrijmë ta fitojmë trofeun duke shpresuar që të mos kemi ndonjë peripeci rrugës”.
Senad NIKSHIQI