Ditën e nesërme, nis faza e tretë e kampionatit kombëtare të volejbollit për meshkuj. Në ndeshjen e parë të kësaj faze, Vllaznia do të ndeshet me Studentin kryesues dhe takimi do luhet të shtunën në ora 18.00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit. Skuadra shkodrane e trajnerit Artan Kalaja vjen në këtë fazë të tretë pas merkatos së dimrit por pa asnjë ndryshim në rradhët e saj. Ajo nuk ka patur mundësi financiare për të marrë ndonjë volejbollist tjetër e për t’u përforcuar dhe për rrjedhojë do luajë sërish me të njëjtët sportistë që ka patur deri në dhjetor. Nga ana tjetër, Studenti kryesues, ndonëse ndodhet në vend të parë, sërish ka bërë përforcime duke marrë dy të huaj.

Vllaznia pas dy fazëve të para të kampionatit ndodhet në vendin e katërt në renditje me 19 pikë të grumbulluara pas 7 fitoreve dhe 3 humbjeve të arritura. Setaverazhi është 22-16 në favor të saj. Kuptohet që kjo skuadër pretendon të renditet fillimisht në katërshen e ekipeve më të mira të vendit në mënyrë që të marrë pjesë në play-off dhe më pas sigurisht që do tentojë finalen. Natyrisht që nuk do ta ketë të lehtë sepse dy nga rivalet e saj, Studenti dhe Teuta kanë blerë lojtarë të huaj ndërsa Tirana i ka shtuar financat e saj për vitin e ri. Vllaznia nuk ka bërë as njërën dhe as tjetrën. Thjesht ka shtuar stërvitjen dhe vetëm falë saj, ajo tenton suksesin.

www.shkodrasport.com