Mundësi shkodran Alfred Bardeli është nderuar dje nga Federata Shqiptare e Mundjes me titullin e lartë “Nderi i mundjes shqiptare”. Ky vlerësim është bërë gjatë turneut mbarëkombëtar “Abedin Lame” që u zhvillua në Tiranë dhe gjatë aktivitetit janë vlerësuar edhe disa prej sportistëve që kanë kontribuar shumë për këtë sport në vite.

Njëri prej tyre ishte shkodrani i mirënjohur Alfred Bardeli i cili kishet ardhur enkas nga Italia ku jeton, për të asistuar në këtë ceremoni. Vetë ai në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” gjatë ditës së sotme është shprehur: “Padyshim që është kënaqësi kur merr të tilla vlerësime për atë çfarë ke dhënë gjatë karrierës sportive.

Dhe në fakt, në total janë rreth 30 trofe që i kam dhënë Klubit Vllaznia dhe Shkodrës në vite dhe kuptohet që çdo nderim tashmë ka vendin e vet. Jam nderuar me disa tituj dhe mbase pres diçka edhe nga Presidenti i Republikës sepse pas kushëririt tim Rrok Bardeli, besoj se në mundjen e lirë shkodrane nuk ka kush më shumë trofe se unë.

E thashë edhe më lart, në total janë rreth 30 trofe individual dhe ekipor që kam marrë dhe këto janë të faktuar, kam diplomat dhe medaljet të gjitha në shtëpi dhe që i kam pasqyruar edhe në rrjetet sociale. Nuk po shtoj asgjë. Nuk po kërkoj as shpërblim dhe asgjë tjetër. Thjesht nderim moral për atë çfarë kemi dhënë për këtë sport”.

Po kush është Alfred Bardeli?
Ka lindur më 3 gusht 1961 në Shkodër dhe është anëtar I ekipit të mundjes së Vllaznisë nga viti 1979 deri në janar të vitit 1991. Ka fituar katër trofe me ekipin e të rinjve, dy tituj kampion me të rinjtë dhe dy Kupa të Republikës, pikërisht në vitet 1979 dhe 1980.Po në vitin 1980 kalon me ekipin e të rriturve nën drejtimin e trajnerit Eljaz Ahmeti.

Me këtë ekip, ka arritur të fitojë edhe 7 tituj ekipor, pikërisht në vitet 1982, 1983, 1984, 1985, 1987, 1988 dhe 1989. Në gjashtë nga këto tituj, ka qenë protagonist kryesor I ekipit duke I dhuruar vende të para në peshën e tij. Nga muaji mars 1983 është edhe fitues I Kupës së Republikës dhe anëtar I ekipit kombëtar që do merrte pjesë në Kampionatin Europian të zhvilluar në Turqi por nuk mori pjesë ndonëse u përgatit për një muaj e gjysëm nga kombëtarja u shpërnda për arsye shtetërore.

-Ka fituar Kupat e Republikës në vitet 1983, 1984, 1985 dhe 1991.

-Fitues i dy medaljeve të arta në Spartakiadën e pestë dhe të gjashtë Kombëtare në vitet 1984 dhe 1989.

-Fitues I tre titujve kampionë individual në vitet 1984, 1989 dhe 1990 duke patur trajner Eljaz Ahmetin në vitin e parë, Isa Vejukën në suksesin e dytë dhe Gjon Lekën në të tretin.

-Në vitin 1989, Federata Shqiptare e Mundjes e ka nderuar me titullin “Mjeshtër Sporti”.

-Një karrierë kampioni, e nisur me titullin kampion me të rinjtë në vitin 1979 dhe e mbyllur me titullin kampion me të rriturit në vitin 1990 dhe trofeun e Kupës së Republikës në janar të vitit 1991.

Kjo është CV-ja e këtij sportisti i cili njihet mirë jo vetëm në Shkodër por edhe më gjerë.
Gjergj KOLA

© shkodrasport.com