Zhoao Feliks u largua nga Atletiko Madrid gjatë kësaj vere, duke u transferuar në formë huazimi te Barcelona. Në fund të sezonit, ai do të rikthehet sërish në Madrid, por mesa duket kjo është gjëja e fundit që ai synon të bëjë.
Në një intervistë për “Mundo Deportivo”, Feliks u shpreh se ishte dëshira e tij që të ndryshonte ambient duke qenë se me Simeonen nuk po mësohej dot dhe e kishte të pamundur që të ambientohej me lojën e tij, ndryshe nga ajo që po bën te Barcelona.
“Pranova të ul rrogën time për të bërë një ndryshim, sepse kisha nevojë të shkoja diku ku mund të luaja futboll. Çavi më kërkon më shumë taktikë, por tani po argëtohem.
Me Simeonen nuk kisha kimi. Nëse je i sëmurë, duhet të ndërrohesh. E kam bërë më parë te Çelsi dhe e kam bërë edhe tani me Barcelonën sepse nuk ndihesha mirë dhe nuk po ambientohesha dot me idetë e klubit dhe të trajnerit. Por gjithmonë kam dhënë më të mirën”, tha Feliks.