Shumë blerje, shumë investime, por sërish Vllaznia në të njëjtat pozita duke diskutuar qëndrimin apo jo në Superligë. Një situatë e tillë kuptohet që nuk kënaq askënd, për më tepër veteranët e futbollit shkodran, ata që kanë derdhur djersë në vite, për ta lartësuar këtë emër që në fakt sot nuk ka atë vlerën e duhur.

Njëri prej tyre është edhe ish- mesfushori i viteve ’70- ’80 Ferid Borshi i cili njëkohësisht bën edhe punën e trajnerit të moshave pranë Akademisë Vllaznia. Duke folur në lidhje me situatën aktuale ku ndodhet skuadra shkodrane, në një prononcim për TV1 Channnel, ai është shprehur:

“Besoj se shkodranët këto vite nuk janë ndier mirë. Ata janë mësuar që Vllaznia të jetë në elitën e futbollit shqiptar dhe kuptohet që nuk u pëlqen një situatë e tillë. Bashkia që sot drejton klubin, duhet të marrë masa radikale nëse do ta ketë në administrim edhe sezonin tjetër, në mënyrë që fanellën e Vllaznisë të mos e veshë gjithëkush, por ata që e meritojnë.

Për mendimin tim duhet të jenë sa më shumë lojtarë shkodranë, të mblidhen ata lojtarë që luajnë jashtë Shkodrës dhe të vijnë e të kontribuojnë këtu, në qoftë se edhe financat do të jenë të kënaqshme. Nuk më vjen aspak mirë kur shoh formacionin e Vllaznisë kur fillon loja dhe shoh në fushë shtatë lojtarë të huaj dhe vetëm 4 lojtarë shkodranë.Nuk kam se çfarë them më tepër, kjo është diçka që nuk i shkon për shtat kësaj skuadre”