Temperaturat e larta të këtij fillim-gushti nuk i kanë penguar çiklistët e Vllaznisë të jenë çdo ditë në stërvitje. Arsyeja është e thjeshtë: Ata përgatiten për të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik që do të zhvillohet në Rumani. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve pranë tyre është gjendur edhe ish- çiklisti i Vllaznisë Festim Meti i cili jeton prej vitesh në Itali.

 

Ai ka disa kohë që po e mbështet këtë ekip me bazë materiale dhe këtë gjë ka bërë edhe së fundi teksa ka sjellë uniforma të reja sportive për pjestarët e këtij ekipi. Trajneri Leonat Kola, në një prononcim për mediat gjen rastin ta falenderojë këtë dashamirës të këtij sporti për kontributin që po jep për rritjen e cilësisë sportive të këtij ekipi. “Jemi duke u përgatitur për Kampionatin Ballkanik që do të zhvillohet këtë muaj në Rumani dhe baza e ekipit tonë kombëtar do të jetë me çiklistët e Vllaznisë. Por unë gjej rastin të falenderoj ish-çiklistin e Vllaznisë Festim Meti i cili edhe këtë herë na është gjendur pranë me plotësimin e ekipit me bazë materiale. Ai ka disa vite që e bën këtë gjë dhe natyrisht që për dashamirës të tillë ka nevojë ky sport. I jemi shumë mirënjohës për kontributin që po jep për çiklizmin shkodran”- ka thënë ai.Ndërsa vetë Festim Meti premton se do të vazhdojë t’i mbështesë këta çiklistë në mënyrë që ata të rikthejnë periudhën e artë të sukseseve të kohës së Tafilëve, Sykës e të tjerë. “Pasioni për këtë sport ka mbetur prej vitesh tek unë, që kur kam qenë çiklist, ndonëse ndoshta në nivelet ku janë sot sportistët e Vllaznisë. Jam munduar t’i gjendem pranë dhe besoj se në të ardhmen ndihma do të jetë edhe më e madhe. Për mua personalisht, nuk ka jetë pa çiklizëm dhe pa ngjyrat kuqeblu. I jam gjendur pranë këtij ekipi që në momentin e ringritjes kur trajner ishte Sabaudin Hoxha por edhe sot që drejtohet nga Leonat Kola, mundohem të jap kontributin tim. Ndihem mirë kur shoh që edhe kampionë të mëdhenj si Brahim Syka e të tjerë, i gjenden pranë këtyre sportistëve. Të merresh me çiklizëm sot nuk është aspak e lehtë sepse është një sport sakrifice megjithatë unë besoj se këta sportistë do të arrijnë të kthejnë edhe njëherë periudhën e artë të Vllaznisë së viteve ’80”- ka thënë ai. Çiklizmi shkodran në këtë mënyrë pritet që në të ardhmen të vazhdojë të rrisë cilësinë sportive dhe mbështetje të tilla si kjo e Festim Metit, natyrisht që i bën pjestarët e këtij ekipi të ndihen edhe më mirë.

© shkodrasport.com