Keidi Bare dhe Espanjoli i tij kanë siguruar matematikisht ngjitjen në La Liga, 4 javë para fundit. Skuadra katalanase, renditet në vendin e parë në klasifikim me një diferencë +12 pikë nga Almeria e Ivan Balliut, kur kanë ngelur edhe 4 ndeshje për t’u luajtur.

Espanjoli ka triumfuar në përballjet direkte me Almerian, duke nisur kështu festën e rikthimit në elitën e futbollit spanjoll. Vetëm 1 sezon ka zgjatur aventura e katalanasve në La Liga 2.

Meritë për këtë ecuri ka padyshim edhe mesfushori i Kombëtares, Keidi Bare, i cili bëhet gati për të shpalosur talentin e tij, në një tjetër nivel, siç është La Liga.

Vlen të theksohet se në të shkuarën, futbollisti fierak ka qenë pjesë e Atletikos së Madridit në La Liga, teksa kësaj here shpreson të rikthehet si protagonist.