Gjatë asamblesë së vjetore të Federatës Shqiptare të Atletikës, presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, dha disa lajme të rëndësishme për sa i përket projekteve për infrastrukturën sportive në Shqipëri. Kreu i KOKSH fillimisht foli për pistën e atletikës që pritet të ndërtohet në Tiranë:

“Sot zhvilluam një takim me ministrin e mbrojtës, për të ndërtuar pistën e atletikës me 6 korsi në ambientet e ministrisë. Një pistë brenda të gjitha standardeve, e cila do të jetë në funksion të atletikës dhe që do të presë edhe gara ndërkombëtare. Gjithashtu edhe pista te liqeni do të rregullohet, pasi është ndërtuar pa standard”, deklaroi Ylli.

Më tej presidenti i Komitetit Olimpik foli për projektin e qendrës olimpike: “Është një projekt që do të jetë nga më të bukurit në botë. Do të ndërtohet në periferi të Tiranës, në afërsi të Rinasit. Do të ketë një stadium me 41508 vende, një vend më shumë se stadiumi i Juventusit.

Do ketë tri fusha të tjera ndihmëse me nga katër mijë vende. Do të ketë dhe një pistë tjetër atletike, përveç pistës së stadiumit, që do jetë me standarde olimpike. Do ketë fusha golfi, një pallat sporti me 6 mijë vende”, u shpreh ndër të tjera kreu i KOKSH-it.