FIFA ka miratuar zyrtarisht kalimin e mbrojtësit Bujar Pllana te Kombëtarja Shqiptare e futbollit, duke konfirmuar kështu afrimin e ri të skuadrës kuqezi. Lojtari 24-vjeçar, i cili më parë ka qenë pjesë e përfaqësueses U-21 të Kosovës, ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë në nivelin e parë ndërkombëtar.
Pllana ka zhvilluar tri paraqitje me ekipin U-21 të Kosovës, por nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare me përfaqësuesen A. Për këtë arsye, FIFA i ka dhënë dritën jeshile për ndryshimin e federatës, duke i hapur rrugën mbrojtësit që të bashkohet me skuadrën e drejtuar nga trajneri Sylvinho.
Burime pranë përfaqësueses bëjnë të ditur se trajneri brazilian tashmë i ka dërguar ftesën futbollistit, i cili mund të aktivizohet si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe në krahun e djathtë. Ky fleksibilitet në lojë e bën atë një alternativë të vlefshme për repartin e pasmë të kuqezinjve.
Gjatë këtij sezoni në elitën e futbollit polak, Pllana ka zhvilluar 11 ndeshje, duke grumbulluar gjithsej 794 minuta në fushë. Megjithatë, ai mund të mos jetë prurja e vetme e re në skuadrën shqiptare, pasi në listën e mundshme të afrimeve përmendet edhe mbrojtësi i majtë i AEK Athens, Stavros Pilios.
Ndërkohë, Shqipëria po përgatitet për sfidën e rëndësishme të “play-off”-it kundër Polonisë, e cila do të zhvillohet më 26 mars, në Varshavë. Ky takim vendimtar do të përcaktojë ekipin që do të vazhdojë në finalen e “play-off”-it për një vend në fazën finale të Botërorit, i cili do të organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada. Lista zyrtare e lojtarëve të grumbulluar për këtë fazë pritet të publikohet nga Sylvinho gjatë javës së ardhshme.


