Tirana kërkon qendër sulmues në janar dhe veç të tjerave kjo dëshirë është modë vjetore. Që do të thotë se ky nuk është lajmi i ri në ambientin bardheblu. Të paktën në tri merkatot e fundit dimërore, Tirana ka kërkuar gjithmonë qendërsulmues dhe vetëm një prej tyre u ka dalë për “hajër”.
Edhe pse kampionët janë të plotësuar në pothuajse çdo repart, gjithmonë në dhjetor e kanë problem sulmin. Mjafton të shohësh afrimet.
Në sezonin e titullit 2019-2020, Tirana afroi Mario Morinën në sulm. Lojtari u largua në fund të sezonit. Në sezonin pasardhës, janari solli tre sulmues, Taulant Seferin, Tim Vairinenin dhe Mario Beshirajn. Lojtarët nuk janë më pjesë e bardhebluve.
Seferi ishte golashënuesi i vjetshëm i skuadrës. Beshiraj luan në Kategorinë e Parë, ndërsa Vairinen është në Finlandë. Sezonin e shkuar u afruan De Silva dhe Nikqi. I pari ka ikur në Brazil, ndërsa Nikqi është në grup dhe ka luajtur disa ndeshje.
JANARI – Plani është i qartë. Siç është thënë, këtë janar Tirana kërkon sulmues. Synimi është që të shitet Redon Xhixha dhe ekipi të afrojë një qendërsulmues, i cili të luajë në majën e repartit të avancuar.
Patriku nuk e bën dot një gjë të tillë dhe në këto kushte, lojtari mund të spostohet majtas sulmit, gjithmonë nëse largohet Redon Xhixha.
Emra ka sa të duash, duke filluar nga Çinari, Abazaj, Grezda e ndonjë tjetër. Nuk përjashtohet merkatoja jashtë vendit, por drejtuesit e skuadrës duhet të zgjidhin halle të tjera para se të afrojnë lojtarë nga merkatoja.
VERA – Orges Shehi dhe Tirana e tij nga fundi i korrikut deri më sot e patën shumë të vështirë, por sërish kampionët janë në vendin e dytë duke luftuar për titullin kampion.
Klubi ndryshoi gjithë skuadrën kampione të Shqipërisë, që solli titullin e 26-të.
Kështu, Bekaj, Ismajlgeci, Toshevski, Najdovski, Behiratçe, Limaj (që nuk luan) dhe Xhixha janë “mohikanët” e mbetur të kampionëve dhe dy lojtarë që nuk kanë qenë gjithmonë titullarë.
Në verë ikën Seferi, Muça, Devid, Totre, Ngo, Toli dhe Hoxhallari. U afruan Patrik, Hasani, Deliu, Aleksi, Hila, Lulaj, të cilët janë kthyer në boshtin e skuadrës kampione të Shqipërisë.