Xhuzepe Marota ka qenë protagonist i një interviste për “Radio Anch’io Sport”, ku ka prekur një sërë temash të Interit, duke filluar që nga finalja e Stambollit ndaj Mançester Sitit, ku pa dyshim zikaltrit nuk nisen favoritë.

“Nuk kemi asgjë për të humbur, në sport duhet të luash çdo kompeticion në maksimum. Kemi respekt të madh për një kolos si Mançester Siti, por jemi të përgatitur të përballemi me një kundërshtar më të fortë duke treguar në fushë motivim, lidhje të fortë me fanellën dhe një futboll të organizuar. Sigurisht që është e vështirë për të gjithë të qëndrojnë të përqendruar me një finale të tillë në horizont, por i takon trajnerit dhe lojtarëve të arrijnë ta bëjnë. Të mërkurën është një sfidë tjetër me shumë prestigj dhe jam i sigurt që lojtarët do të gjejnë motivimin e duhur ndaj një Fiorentine me nivel të lartë. Duhen marrë gjërat me radhë”, u shpreh administratori i deleguar i zikaltërve.

LUKAKU DHE INZAGI – Marota u ndal edhe te Lukaku dhe Inzagi, dy nga figurat më të diskutuara të momentit. “Romelu e do fanellën zikaltër, ndihet shumë mirë këtu dhe dëshira e tij për të qëndruar me ne është thelbësore. Por e dimë të gjithë që është në huazim, do të kthehet te Çelsi në qershor dhe nuk e dimë çfarë do të ndodhë në nivelin teknik në atë klub. Jemi në pritje”, tha për belgun, me performancën e mirë të cilit, filloi të merrte një kthesë edhe sezoni i Interit dhe i Inzagit, me drejtuesin që nuk e fshehu vlerësimin për punën e tij, por as momentet e vështira pas fitoreve të munguara.

“Nuk mund të gjykohet një sezon nga një ndeshje, por arritja në finalen e Ligës së Kampioneve është një motiv i madh prestigji, edhe për trajnerin dhe Inzagi e meriton. Vlerësimi është jashtëzakonisht pozitiv. Pa dyshim që ishte një moment që gjërat nuk shkonin mirë dhe për këtë arsye debati i brendshëm ishte më i fortë, por gjithmonë në kontekstin e kritikave konstruktive.

Asnjëherë nuk kemi menduar ama ta zëvendëosjmë. Inzagi ka treguar se është në lartësinë e rolit të tij, puna e tij është pozitive dhe njihet nga të gjithë brenda klubit. Konfirmimi i tij i shprehur në përqindje është 100%. Do të jetë trajneri ynë edhe për sezonin e ardhshëm”.

E ARDHMJA E INTERIT – Marota do të marrë edhe një herë në verë të gjithë vëmendjen me lëvizjet që priten në merkato për të përforcuar Interin dhe drejtuesi ka pranuar se po monitorojnë mbrojtësin e Atalantës Xhorxho Skalvini dhe mesfushorin e Sasuolos Davide Fratezi.

“Janë dy lojtarë të rinj shumë interesantë dhe ka disa klube që i ndjekin, mes tyre edhe Interi. Gjithsesi nuk jemi ende në nivele negociatash, por janë të rinj italianë me shumë vlera”, përfundoi Marota.