Vllaznia ka nisur nga puna, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe nuk është se ka pasur qetësi në kampin shkodran. Kuqeblutë njoftuan se kishin përzgjedhur Hasan Likën si trajnerin e ri të ekipit, ndërsa Engin Firat ishte ai që bindi për t’i besuar rolin e drejtorit sportiv.

Deri më tani turku nuk është parë në Shkodër, por tanimë ka lajme të reja dhe ai pritet të vijë dhe të takohet me drejtuesit. Fakti që ai është i përzgjedhuri detyrimisht nuk e bën zyrtarisht pjesë të Vllaznisë, pasi palët ende nuk kanë nënshkruar një kontratë.

“Sport Ekspres” ka kontaktuar me Engin Firat, i cili shkurtimisht është shprehur: “Jam në avion. Nesër do të flasim shtruar”. Pritet me interes ardhja e tij dhe se çfarë planesh ka për Vllazninë.

Shkodranët duhet menjëherë të sigurojnë ngjitjen sa më të shpejtë në Superiore, ndërkohë që një temë e nxehtë do të vijojë të mbetet ajo e privatizimit të klubit./sport-ekspres/