Engin Firat nuk ka hequr dorë nga Vllaznia, ose më të paktën derisa të mësojë nëse punësimi i tij në pankinën e Moldavisë do të jetë afatgjatë apo jo.

Drejtori teknik i Vllaznisë është prezantuar dje në Kishinjev si trajneri i ri i Moldavisë, duke marrë drejtimin  saj për dy ndeshjet e fundit të eliminatoreve të Euro 2020 ndaj Francës dhe Islandës.

“Kam nisur punën këtu për t’u ardhur në ndihmë disa miqve të mi. Kam ardhur shpesh në Moldavi dhe më kërkuan t’i ndihmoj, pas largimit të Altman pranova këtë ofertë si trajneri i përkohshëm. Do të drejtoj vetëm për këto dy ndeshje fillimisht”, shpjegoi Firat për RTSH.

Ai konfirmoi se në periudhën që do të drejtonte Moldavinë, në këto dy muaj, do të kryente paralelisht të dy detyrat, duke mbajtur dhe atë në Shkodër derisa të sqarohej situata.

“Unë do të vazhdoj të kryej edhe detyrën e drejtorit të Vllaznisë, edhe pse nuk do të jetë aq e lehtë. Por do të shohim pastaj në muajt në vijim pas këtyre dy ndeshjeve se çfarë do të vendosim me drejtuesit e Federatës Moldave dhe me kolegët e mi në Shkodër”, u shpreh Firat. /vipsport/