Katër vite më parë ishin përkrah si pjesë e Shqipërisë që shkruante historinë në Euro 2016. Tashmë do të shohin njëri-tjetrin si kundërshtarë në kategorinë e dytë zvicerane.

Burim Kukeli, Shkëlzen Gashi, Ermir Lenjani dhe Migjen Basha duket se kanë vendosur që të kalojnë vitet e fundit të karrierës së tyre në klubet e kësaj kategorie, në vendin ku u rritën si futbollistë.

I fundit në listë është Migjen Basha, i cili sot firmosi për klubin e Nojshatel Ksamaks, duke i dhënë lamtumirën kampoionatit australian ku ishte aktivizuar në edicionin e fundit.

Basha vendosi të kthehej në Zvicër ku më parë ka luajtur me Lozanën e Lucernën, për të vazhduar në moshën 33-vjeçare atje. Një vendim që e largon edhe më shumë nga futbolli më i rëndësishëm, pas lamtumirës nga kombëtarja shqiptare e futbollit me të cilën luajti 33 ndeshje.

Kështu, ai tani e tutje do të ketë përballë Kukelin i cili është një nag liderët e Kriens, Gashin i cili luan te Arau si dhe Ermir Lenjanin i cili pak kohë më parë iu bashkua Grasshoper. Vetëm ky i fundit është ende pjesë e përfaqësueses shqiptare të futbollit. /vipsport/