Erald Çinari do ta mbyllë aventurën me Partizanin, pas përfundimit të sezonit. Sulmuesi shkodran do ta vazhdojë karrierën në Turqi, aty ku pritet të jetë pjesë e skuadrës së Samsunspor, në Ligën e Parë turke.
“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se lojtari ka firmosur parakontratë me klubin turk prej dy javësh dhe është e sigurt që do ta vazhdojë karrierën aty.
Palët kanë qenë në bisedime prej kohësh dhe pas shumë diskutimeve kanë arritur marrëveshjen që nga sezoni i ardhshëm, lojtari të jetë pjesë e Samsunsporit. Çinarit i përfundon kontrata me Partizanin në fund të këtij sezoni dhe do të largohet si lojtar i lirë.
DETAJET E KONTRATËS – Çinari ka nënshkruar një kontratë 4- vjeçare me ekipin turk dhe do të përfitojë plot 500 mijë euro. 24- vjeçari do të përfitojë 125 mijë euro në sezon, rreth 10 mijë euro në muaj.
Në Turqi klubet kanë kontrata sezonale 12-mujore dhe Çinari do të marrë diçka më shumë se 10 mijë euro çdo muaj. Një kontratë shumë e mirë për mëngjarashin shkodran, që sezonet e fundit ka treguar se është një ndër më të mirët në Superiore.
STATISTIKAT – Pas heqjes së dënimit, sulmuesi ka luajtur në 21 ndeshje për të kuqtë këtë sezon ku ka arritur të shënojë 8 gola. Çinari ka një mesatare shumë të mirë golash, me një gol në çdo 200 minuta. Edhe pse ka luajtur shumë më pak se golashënuesit e tjerë, Çinari është një ndër goleadorët më të mirë në Superiore e për më tepër, ka shënuar në ndeshje vendimtare, siç ishte derbi i kryeqytetit kundër Tiranës apo transferta në Durrës kundër Teutës.
HISTORIKU – Sa u takon transferimeve, Çinari ka një histori tepër të komplikuar. Në verën e vitit 2018, sulmuesi shëtiti mes disa ekipeve. Pas largimit nga Vllaznia, firmosi fillimisht me Alavesh në Spanjë, për të kaluar për pak ditë tek Istra në Kroaci. E gjithë kjo situatë, bëri që asgjë të mos konkretizohet, me Vllazninë që gjeti akord me Patizanin.
Pas këtyre parregullsive futbollisti shkodran u dënua me 4 muaj pezullim, ndërsa Partizani me bllokim merkato në verë. Klubi dhe lojtari kanë qenë të detyruar të paguajnë edhe një dëmshpërblim prej 83 150 eurosh për kroatët. Shuma tani i mbetet për ta shlyer Partizani nëse mbetet në fuqi, pasi Çinari ikën në Turqi me parametër zero dhe pa asnjë qindarkë të arkëtuar në llogarinë e Partizanit. Tjetër manovër e gabuar e klubit që lë të ikë falas një nga xhevahiret e tij.