Vllaznia ka fituar në mënyrë dramatike me një gol në minutën e 95-të sfidën direkte për Europën ndaj Kukësit, duke kapërcyer skuadrën e Diego Longos në renditje dhe duke qenë tashëm e pozicionuar e treta.

Sfida ishte shumë e luftuar por edhe e tensionuar, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij dueli për luftën për Europën. Kjo bëri edhe që skuadrat të gabonin shpesh në momente të rëndësishme të sfidës.

Da Silva u dha avantazhin shkodranëve në fund të pjesës së parë, ndërsa në të dytën ata administruan rezultatin me qetësi. Por kur mbeteshin 10 minuta nga fundi i sfidës, Lulaj barazoi duelin, duke bërë që ndeshja të ndizej në fund me emocione të njëpasnjëshme.

Në fund, ishte Plori ai që gjeti lëvizjet e duhura pasi Çoba i futur në shtesën e sfidës, shënoi në minutën e 95-të golin që i dha fitoren ekipit shkodran dhe e ngjiti në vendin e tretë në renditje.

VLLAZNIA-KUKËSI 2-1
42′ Da Silva, 90’+5′ Çoba / 80′ Lulaj