Sot në 20:45 Milani do të presë në “San Siro” Udinezen me synimin për të fituar për herë të parë pas tri ndeshjesh. Skuadra është nën presion dhe Stefano Pioli i rrezikuar, megjithatë, në konferencë për shtyp trajneri kuqezi bëri gjithçka për ta marrë trysninë e rezultatit mbi vete.

Ndaj Udinezes formacioni më i mirë apo menaxhim forcash në kuadër të Champions-it?

Kemi shumë nevojë për pikë dhe një fitore do të ishte shumë e rëndësishme, ndaj nuk bëjmë llogari përtej Udinezes. Grupi është mirë dhe jam i bindur që nuk kam pasur kurrë një nivel më të lartë lojtarësh te Milani. Të gjithë kanë shfaqur maksimumin në pak kohë, ndaj u kam kërkuar të shfrytëzojmë këtë aspekt.

Përse kaq shumë kritika ndaj Milanit?

Është normale, pasi kemi tri ndeshje që nuk fitojmë dhe kritikat i meritoj unë më shumë se kushdo. Kjo është një arsye më shumë për të synuar më fort fitoren me Udinezen. Nëse secili prej nesh jep 1 për qind më shumë nga vetja, mund të arrijmë nivele të larta.

Si është Milani fizikisht dhe si i shpjegoni kaq shumë dëmtime?

Mbase situata e stresit i rrit shanset e dëmtimeve. Dy javët e fundit kanë qenë të vështira dhe me shumë dëmtime, por situata do të përmirësohet ndjeshëm në pak ditë. Sidoqoftë, me Udinezen do të kemi më shumë se një problem për mbrojtjen, sepse jemi të paktë në qendër. Për këtë arsye kam kërkuar edhe një mbrojtës nga merkatoja. Sa për fuqitë, nuk na mungojmë dhe do të duhet t’i shfaqim duke i ushtruar presion të vazhdueshëm rivalit të radhës.

A janë Simiç në qendër dhe Musah si anësor alternativa niveli?

Simiç është shumë interesant dhe kam alternativa. Musah mund të bëjë çdo rol në korsi, por shpresoj të mos kem nevojë të eksperimentoj.

Çfarë vështirësish prisni nga rivali i radhës?

Vështirësitë do të jenë gjetja e hapësirave të përshtatshme, sepse ato ideale do të jenë shumë të pakta. Duhet të luajmë shumë në gjysmën e tyre të fushës, me qartësi, durim dhe furi, si dhe me shumë kompaktësi.

A është Zhiru qendërsulmuesi më i mirë që keni pasur?

Mendimi im për njeriun dhe lojtarin është i mirë. Kam stërvitur qendërsulmues të mëdhenj: Zlatan, Kloze, Xhilardino… Olivie ka një nivel shumë të lartë.

Jeni të shqetësuar për kohën e lojës nesër?

Arbitri duhet të jetë shumë i vëmendshëm dhe i aftë në kuptimin e këtyre situatave, teksa ne duhet të mendojmë për veten tonë.

A keni ndonjë lajm për Ibrën?

Nuk e di. Në “Milanello” punoj me shumë njerëz, flas shpesh me drejtorët Monkada dhe Furlani dhe klubi është i strukturuar për të na mbështetur. Nëse klubi dhe Zlatan vendosin të krijojnë situata të tjera…