Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, ka mbetur i kënaqur nga loja e skuadrës në miqësoren e djeshme ndaj Egnatias. Edhe pse të kuqtë nuk ishin të plotë, pasi mungonin titullarë si qendërmbrojtësi Belica apo sulmuesi Cara, Daja theksoi në intervistën pas testit në Rrogozhinë se ekipi i tij është në rrugën e duhur.

Numri një i stolit kryeqytetas preku edhe çështjen e merkatos, ndërsa në deklaratën e tij paralajmëroi se mund të ketë surpriza të mëdha sa u përket afrimeve në ditët e fundit të afatit të transferimeve.

Zoti Daja, çfarë përshtypje ju la kjo miqësore?

Ishte një miqësore që e vlerësuam në çdo drejtim. Puna e deritanishme ka qenë me ngarkesa të mëdha për lojtarët, në mënyrë që ata të arrijnë formën optimale. Egnatia ishte skuadër simpatike, ndërsa ne u munduam të aktivizojmë të gjithë lojtarët, përveç atyre që janë grumbulluar me Kombëtaren U-21.

Kam ide më të qarta tashmë për grupin që drejtoj. Rëndësi ka që përshtatja e disa lojtarëve është arritur tashmë. Miqësoret kanë vlerën e vet, nuk ka rëndësi nëse humb apo fiton. Në këtë ndeshje gjithçka u interpretua mirë dhe jam i kënaqur me të gjithë.

A është gati Partizani për startin e kampionatit me Teutën ?

Ne vijmë pas përfundimit të fazës në Ohër, ku bëmë disa miqësore dhe përgatitje me volum. Afrimet e verës janë përshtatur shpejt me lojën e ekipit dhe kjo është e veçantë.

Natyrisht që tani do të mendojmë patjetër për kampionatin, por është shpejt për të diskutuar për duelin me Teutën. Synimi është që në seancat e mbetura, të rrisim parametrat. E rëndësishme është që jemi në rrugën e duhur.

Çfarë prisni nga merkatoja në këto ditë të fundit që kanë mbetur nga afati i transferimeve?

Merkatoja nuk është mbyllur për ne. Dëshirat mbeten të mëdha, por pa përmendur ndonjë emër. Nuk i dihet se kush do të jetë i radhës që do të na bashkangjitet. Te Partizani gjithmonë diskutohet për lëvizjet që mund të kryhen, por besoj se do të kemi të reja në vijim. Ata që na nevojiteshin, i siguruam edhe pse duhet një grup i plotë, pasi në kampionat parashikohen të gjitha.

A mund të thoni pse nuk janë konkretizuar transferimet dhe gjithçka është lënë për në fund?

E thashë, ka procedura dhe gjëra që nuk shkojnë si mendohet. Drejtuesit e klubit në çdo moment janë në diskutime për plotësimin e skuadrës me lojtarë cilësorë. Mund të jetë kohë e shkurtër për të arritur atë objektiv që ke primar të afrosh, por Partizani mendon për përgatitjet dhe në të njëjtën kohë mirëpresim çdo surprizë që është si goditje.