Për mesfushorin Fjoart Jonuzi, Vllaznia i ka të gjitha shanset që të kualifikohet përmes kampionatit në Kupat e Europës. Në një prononcim për “Panorama Sport” ai është shprehur se ekipi do të kërkojë vetëm një rezultat, që është fitorja në takimin ndaj Partizanit. Sipas tij, të gjitha takimet deri në fund janë finale dhe kërkojnë vlerësim maksimal nga skuadra. Jonuzi ka folur edhe për gjykimin, që sipas tij ka ndikimin e vet te rezultatet e skuadrës. Ai kërkon korrektësi në këtë drejtim në ndeshjet e mbetura.
Po qahen shumë pikët e lëna ndaj Teutës, si duket tani gjendja në skuadër pas atij barazimi?
Po, normalisht. Na vjen keq, sepse ashtu siç po shkonte ndeshja, të pësohet një gol në sekondat e fundit të shtesës duke pasur ndeshjen nën kontroll dhe për më tepër me një gol të pësuar nga një pozicion jashtë loje, të sjell një ndjesi të keqe. Ishin dy pikë të rëndësishme, por kështu e ka futbolli. Rëndësi ka që ne bëmë një paraqitje të mirë. Kështu mendoj se duhet të vazhdojmë edhe në këto takime të mbetura.
A mund të thuhet se Vllaznia po vuan ende problemin psikologjik që pas humbjes me Tiranën?
Jo, nuk besoj se është thjesht vetëm çështje psikologjie, por mendoj se dhe fati na ka munguar në disa takime. Ndihemi mirë, pasi kemi filluar të përmirësohemi ndjeshëm dhe kjo të jep shpresë për takimet e mbetura.
Po flitet shumë për arbitrimin, sipas jush sa pikë pak a shumë duhet të kishte Vllaznia?
Ky muhabet ka kohë që flitet dhe të them të drejtën nuk e kam për zakon të flas për arbitrat, por vjen një moment që teprohet. Tani nuk ka vlerë dhe nuk dua të diskutoj sa pikë me shumë apo më pak mund të kishim, por thjesht të mbahet drejt ndeshja. Kaq po kërkojmë nga ana e arbitrave në këto takime të mbetura.
Të shtunën përballë do të jetë Partizani, një përballje finale për synimet e Vllaznisë për t’u futur në treshen e parë?
Po, është një ndeshje shumë e rëndësishme, sepse kemi rivalin direkt siç e kishim në Kupë e tani në kampionat. Mendoj se është një takim i rëndësishëm për të siguruar Europën para finales së Kupës. Kjo është shumë e rëndësishme. Kështu që duhet të japim maksimumin për të qenë një nga ekipet, që do të sigurojmë Kupat e Europës përmes kampionatit.
A është fitorja objektivi i vetëm për këtë takim?
Po. Ne do të futemi për fitore, sepse do të ishin pikë shumë të rëndësishme.
E shikoni në fund të sezonit Vllazninë në Kupat e Europës përmes kampionatit apo Kupa do të jetë opsioni i vetëm?
Objektivi ynë është të futemi nga kampionati në Kupat e Europës. Për këtë duhet që çdo ndeshje ta marrim si finale që të shkojmë në përballjen e Kupës të qetë. Kam shumë besim tek ekipi, thjesht duhet të vlerësojmë çdo ndeshje.
Cili është apeli juaj për tifozërinë shkodrane në këto momente?
Kemi nevojë për mbështetjen e tyre, siç ishin në takimin e Kupës. Ato na dhanë mbështetjen për t’u kualifikuar, kështu që i presim edhe në këtë ndeshje të rëndësishme duke dhënë më të mirën në fushën e lojës.