Fjoart Jonuzi rezultoi mungesë me peshë për Vllazninë në ndeshjet e fundit, duke krijuar një boshllëk në pozicionin ku dhe luan. Por në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori kuksian i kuqebluve jep lajmin e mirë se në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë do të jetë gati.

Mungesa e këtij lojtari krijoi jo pak probleme në qendër të mesfushës, kështu që rikthimi i tij ishte një domosdoshmëri për Vllazninë. Përveç gatishmërisë, 25- vjeçari pohoi se skuadra do ta kalojë krizën ku është përfshirë. Ai ka folur edhe për largimin e trajnerit Brdariç, si dhe për vazhdimësinë e Vllaznisë.

Fjoart, jeni kthyer në stërvitje, por në çfarë gjendjeje jeni tani?

Me ndihmën e Zotit kalova një dëmtim që më la jashtë 2 javë. Kam filluar stërvitjen me grupin dhe jam gati për të dhënë më të mirën për Vllazninë.


Pas humbjes me Tiranën u largua trajneri Brdariç. Si e vlerësoni këtë vendim të drejtuesve?

Ky është një vendim i drejtuesve dhe nuk më takon mua që ta komentoj sepse ata e dinë më mirë, por nga ana ime gëzoj respekt për trajnerin Brdariç. Kemi punuar bashkë për gati 2 vite, kemi kaluar shumë mirë dhe i uroj gjithë të mirat në vazhdim.


A ishte ky momenti i duhur për të bërë ndryshimin e mësipërm?

Po e përsëris, nuk na takon ne futbollisteve kjo pjesë. Ne kemi punën tonë në fushë. Çdo trajner që ndërrojmë gjatë karrierës për ne është i njëjtë. Duhet të jemi profesionistë dhe të japim më të mirën në fushë.

Në javën e fundit Vllaznia pësoi një humbje të thellë në Rrogozhinë. Çfarë nuk shkoi, sipas jush, te skuadra në këtë takim?

Normalisht ndikoi pak humbja me Tiranën, ndërrimi i trajnerit, plus edhe mungesat e shumta. Të gjitha këto ndikojnë në anën psikologjike të lojtarëve duke mos qenë në 100-përqindëshin e tyre. Por kam besim që do të bëjmë kthesën menjëherë në pjesën në vazhdim.

Po gjykimi ka ndikuar te rezultatet e Vllaznisë?

Nuk është mirë të vendosim përgjegjësinë tek arbitrat, por mendoj edhe të gjithë e kanë shikuar sa vendime të gabuara na kanë dhënë. Në futbollin e sotëm episodet janë të rëndësishme dhe në këtë mënyrë kemi humbur edhe shumë pikë.

A mendoni se pas humbjes së shanseve për titull, Vllaznia mund të rrezikojë edhe pjesëmarrjen në Europë?

Në këtë fazë të kampionatit, jo vetëm ne, por çdo ekip është në rrezik për objektivat e vet, sepse jemi afër me pikë dhe ndeshjet sa vijnë e vështirësohen. E rëndësishme është që kemi mundësi në dy fronte, Kupë dhe kampionat, kështu që do të japim maksimumin në të dyja anët.


Në gjysmëfinale të Kupës përballeni me Partizanin. Si e shikoni këtë duel?

E shikoj një përballje të fortë. Jemi dy skuadra që luftojmë për Europë. Edhe ata kanë një ekip cilësor që duhet vlerësuar. Ndaj, duhet të hyjmë në fushë si ushtarë për të dalë fitimtarë.


Si mund ta fitojë Vllaznia për të dytin vit radhazi trofeun e Kupës?

I kemi mundësitë, pavarësisht rezultateve të fundit. Kemi treguar që jemi ekip i fortë dhe kemi zhvilluar lojëra të mira. Kështu që, thjesht duhet të jemi psikologjikisht mirë që të shkojmë në finale.


A do të ishte dështim total nëse skuadra nuk arrin në fund të sezonit pjesëmarrjen në Kupat e Europës?

Nuk e mendojmë këtë pjesë pasi kemi besim që do të shkojmë në Europë. Luajmë në dy fronte edhe tani duhet që të japim më të mirën për të mos e çuar dëm këtë sezon.