Ju kujtohet që në fillim të sezonit Flamurtari kishte projektuar sulmin “atomik”: Bushiç-Kale-Alvesh-Torasa? Epo ja që kanë mjaftuar disa muaj pa u paguar dhe skuadra vlonjate është futur në një spirale të rrezikshme. Nuk flitet më as për sulm cilësor dhe as për skuadër pretendente, por për mbijetesë.

Thjesht për mbijetesë… Dilemat e mëdha për të ardhmen e klubit, duke qenë se Idrizi ka vendosur të investojë vetëm nëse do të privatizohen asetet, e kanë kolavituar akoma më shumë të ardhmen.

Po, sepse dje mësohet se Tomislav Bushiç, sulmuesi kryesor dhe kapiteni i skuadrës së Flamurtarit, ka njoftuar FIFA-n se ka disa muaj pa u paguar dhe se kërkon shlyerje të menjëhershme ose largim nga klubi kuqezi.

Bushiç i pati dhënë një sinjal Idrizit ende pa u mbyllur dhjetori se i kishte bërë si duhet detyrat dhe se meritonte të paguhej. Nën zë, kapiteni dhe një pjesë e skuadrës vunë në dukje se nuk do të paraqiteshin në grumbullim nëse lojtarët nuk do të merrnin paratë e muajve të fundit.

Asgjë nuk ndodhi, por gjithsesi futbollistët, me përjashtim të Danilo Alveshit, u paraqitën në Vlorë dhe nisën stërvitjen, me shpresën se diçka do të ndryshonte, por në fakt gjërat janë njësoj si më parë.