Për Pano Xhixhon, drejtorin e RTSH Sport, Klasikja e Shqipërisë Vllaznia-Tirana, që do të luhet pasditën e nesërme, është një nga ndeshjet më të veçanta dhe më të bukura të kampionatit shqiptar. Një gjë e tillë thuhet pasi emocionet natyrshëm që janë të pranishme tek çdokush që ndjek Klasiken e futbollit shqiptar, jo vetëm tek tifozët, por edhe tek gazetarët dhe komentatorët sportivë.
Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Xhixho thotë se do të jetë një ndeshje mjaft e tensionuar për të dy ekipet, duke marrë në konsideratë renditjen dhe pozitat momentale të këtyre skuadrave, por shtoi se është shumë e vështirë të bëjë parashikime në këtë Klasike kaq spektakolare.
Poashtu ndër të tjera, drejtori i RTSH Sport u shpreh se priste më shumë nga Vllaznia këtë sezon, ndërsa theksoi se kuqeblutë duhet të kenë kujdes, sepse hapat fals nuk lejohen, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme. Për më tepër, mund të lexoni intervistën e tij dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.
-Pano, si e shikoni ndeshjen Klasike të ditës së nesërme Vllaznia-Tirana dhe si e gjykoni një duel të tillë në këtë moment?
Vllaznia – Tirana është një gjithmonë një ndeshje e veçantë. Nëse analizon sfidën e kësaj jave, shikoj një duel nga ata që ndalohet humbja. Vllaznia këtë sezon nuk e ka humbur asnjë prej klasikeve, madje ka fituar dy prej tyre, por Tirana duket shumë afër objektivit madhor, titullit. Prandaj, tensioni do të jetë i pranishëm në të dyja kampet për shkak të javës që luhet, pasi jemi vetëm shtatë javë nga fundi dhe renditjes që kanë të dyja skuadrat.
-Cili nga të dy ekipet mendoni se mund të kishte mundësi për të bërë më mirë këtë sezon?
Patjetër Vllaznia. Tirana është në vendin e parë, me diferencë prej pesë pikësh nga ndjekësi më i afërt. Eshtë gjithashtu edhe në gjysmëfinalen e Kupës dhe ka fituar Superkupën. Kështu që, është brenda çdo objektivi. Vllaznia duhet të kishte bërë patjetër më shumë, sidomos në kampionat. Shkodranët kanë patur një prej skuadrave me organikën më të plotë dhe gjatë merkatos së janarit jo vetëm që nuk ka larguar ndonjë prej futbollistë cilësorë, por edhe ka afruar Bekim Balajn. Gjithsesi, nuk duhet lënë jashtë vëmendjes dëmtimi i Latifit për një periudhë të gjatë dhe dëmtimi i Esat Malës pikërisht në momentin e tij më të mirë. Megjithatë, sezoni nuk ka mbaruar.
-Pano, besoj se përveç futbollistëve në fushë, do të jetë edhe një duel trajnerësh mes Goçe Sedloskit dhe Orges Shehit, sa i vlerësoni të dy këta trajnerë dhe cili mendoni se mund të rezultojë më vendimtar me lëvizjet e tij?
Vështirë të analizosh sidomos Sedloskin me vetëm dy ndeshje në drejtimin e Vllaznisë. Shehi është trajneri kampion në fuqi dhe e njeh shumë më mirë kampionatin shqiptar. Ndërkohë që, efekti i entuziasmit të trajnerit të ri, Sedloski, mund të jetë pozitiv për Vllazninë. Nuk besoj se ka ndonjë lëvizje surprizë, kur tashmë jemi në javën e 30-të dhe pak a shumë Vllaznia dhe Tirana i kanë të konsoliduara skemat dhe lojën e tyre. Pozitive do jetë që të dyja skuadrat janë të plota dhe rikthimi i Gurishtës dhe Hakajt për Vllazninë është një lajm i mirë.
-Rezultatet negative të javëve të fundit e kanë nxjerrë nga pretendimet për titull Vllazninë, ndikon ndopak kjo për këtë ndeshje?
Ky është një kampionat që nuk të lejon asnjë javë të jesh i qetë. Vllaznia momentalisht ndodhet larg luftës për titull, por objektivi minimal është arritja e vendit për në Kupat e Europës. Aktualisht, shkodranët duhet të kujdesen që mos të humbasin terren në klasifikim si ndaj Egnatias, por edhe ndaj Laçit, madje dueli i tyre këtë javë mund t’i japë përparësi Vllaznisë, nëse merr një rezultat pozitiv ndaj Tiranës.
-Mendoni që një fitore ndaj Tiranës, e afron më shumë Vllazninë pranë titullit kampion apo është çështje e mbyllur pjesa e kreut për kuqeblutë?
Nuk mendoj se mund të rikuperohen 11-pikë në shtatë javë. Është shumë e vështirë, gati e pamundur, sepse duhet të kalojë dy skuadra. Vllaznia, si çdo skuadër tjetër ka shtatë finale për të luajtur në këtë kampionat dhe prandaj vlerësohet maksimalisht ndeshja e rradhës, pavarësisht kundërshtarit që luan.
-E fundit, kush mund ta fitojë ndeshjen dhe kush mund të rezultojë ndoshta më vendimtar në këtë Klasike të fundit të këtij sezoni?
Klasiken e kaluar, parashikova një fitore të Vllaznisë dhe ashtu ndodhi. Balaj ishte vendimtar, sepse ishte protagonisti kryesor tek 11-metërshi i fituar dhe i kthyer në gol nga Herald Marku. Këtë rradhë e parshikoj më të vështirë. Shkodranët në “Loro Boriçi” dhe në ndeshje të rëndësishme sidomos këtë sezon nuk kanë gabuar, por Tirana është në një moment të mirë psikologjik dhe ka një atmosferë pozitive.
Vështirë të parashikoj një rezultat, por duke qenë se insiston për një rezultat, po them një barazim pa gola. Mendoj se të dy trajnerët, si Sedloski, ashtu edhe Shehi, më shumë se sa do duan ta fitojnë këtë ndeshje, nuk do duan kurrsesi ta humbasin. Ndërkohë që, ky është një rast i mirë për Liridon Latifin për të lënë shenjë pozitive në këtë sezon për Vllazninë, duke qenë se ka munguar për një periudhë të gjatë për shkak dëmtimi.
Maringlen ZHIVANI