Futbolli shqiptar, ka nisur para dy ditësh transmetimin në MCN TV. Në lidhje me këtë, në emisionin “Skaner Superiore”, foli Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, i cili sqaroi edhe ndjekësit, sa i përket transmetimit.
Sipas tij, e sigurt është se një ndeshje do të jetë falas, ndërsa shtoi se nëse do të jetë mundësia, mund të transmetohen dy ose tre ndeshje falas.
Meksi deklaroi gjithashtu se i është shtrirë dora edhe mediave të tjera për transmetim, ndoshta edhe falas, por nëse nuk realizohet kjo, do të kalohet në platformat me pagesë, pasi është shumë e kushtueshme.
“Unë i kam parë komentet dhe pyetjet e shumta. Kam marrë shumë telefonata, për të ditur se si do jetë transmetimi. Asnjë nuk do ta besojë, që për momentin kjo gjë nuk është e ndarë. Përpjekja e MCN, do të jetë për të respektuar futbollin shqiptar dhe FSHF. Për të garantuar një transmetim dhe imazh të pastër.
Detyrimi jonë i dytë është me publikun. Nëse do kemi mundësinë të kemi dy apo tre ndeshje falas, do të jetë shumë mirë. Një ndeshje falas është e sigurt. Po punojmë që platforma ku do jemi, të jetë e aksesueshme në çdo vend ku ka shqiptarë.
Të katërta ndeshjet e javës së parë ishin falas, te shikojmë në vijim se çfarë do të ndodhë. Mediave të tjera, ua kemi shtrirë dorën. Nuk kemi asgjë me Rtsh, Report TV apo Neës24. Janë shumë ndeshje. Material do të ketë plot, gjatë këtyre tre apo më shumë sezoneve. Duhen më shumë kanale. Nëse do të ketë një nga tregu, që të paguajë dhe ta transmetojë falas, pse jo?! Në të kundërt do kalojë në platformat me pagesë.
Ne njoftuam AMA-n, në rrugë zyrtare. Më erdhi shumë mirë, që reagimi ishte i menjëhershëm. Kjo është për të futur futbollin në një dimension të ri. E drejta TV, është burimi më i madh i të ardhurave. Unë kam parë një interesim të çmendur për futbollin shqiptar në këto ditë.
Është shumë herët për ta thënë kush fiton. Për mua, të fitojë më i miri. Unë kam qenë tifoz kryesisht me Partizanin, por për një periudhë edhe me Tiranën. Si lapraks që kam qenë, haja të shara të shumta, kur isha me Tiranën”- është shprehur Meksi.