I pranishëm në “Selman Stërmasi” ditën e sotme për të ndjekur takimin mes Tiranës dhe Kastriotit, ishte edhe trajneri i Kombëtares, Edi Reja.
Përpara nisjes së sfidës, në një prononcim për “Top Channel”, tekniku Reja deklaroi se duhet të fillojë një njohë fytyrat e Kombëtares. Ai deklaroi se do të bazohet te grupi aktual i Kombëtares, por nuk përjashtohet as mundësia e prurjeve të re në ekip.
PRANIA NË SHQIPËRI – Duhej t’i njihja më parë, sepse nuk kemi pasur kohën e duhur. Tani që jemi këtu duhet të njoh të paktën fytyrat, sepse mund të jenë 25 lojtarë ose 28 dhe ne kemi shumë pak kohë në dispozicion. Kështu që duhet të fillojmë të krijojmë ide të qarta. E kam një listë me 32-33 futbollistë, por është e qartë se më të favorizuarit janë ata që aktivizohen më shumë, sepse kemi nevojë për ata që janë në gjendjen më të mirë fizike.
LISTA – Do të mbaj grupin aktual të lojtarëve, por padyshim që do të ketë edhe prurje të reja, sidomos të atyre lojtarëve të rinj që po i studioj. Më pas do të vendosim në një moment të dytë.
MËNYRA E LOJËS – Të gjithë presin që skuadra të luajë në sulm dhe unë jam një prej tyre, por për këtë duhen elementët e duhur që duhet të marrësh në konsideratë, ndërkohë që duhet vlerësuar edhe kundërshtari që ke përballë
Në fund, trajneri Reja konfirmoi se skuadra do të udhëtojë drejt Gjermanisë për përgatitjet e saj, për shkak të klimës së ngjashme me atë të Islandës, por edhe për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin.