Fantazisti i Egnatias, Demir Imeri, me golin e tij kundër Tiranës, bëri që tek Egnatia të ndihen më të qetë e të besojnë te më e mira. Për Imerin, ishte goli i parë me fanellën rrogozhinase dhe shpreson që të mos ndalet më. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Imeri flet për gjithçka e me plot bindje se jo vetëm ai, por edhe Egnatia do të jenë befasues në vazhdim.
Si u ndiet me golin që shënuat, e kishit parashikuar?
Normalisht u ndjeva shumë i lumtur që arrita që shënoja edhe unë më në fund. Ishte një motiv që pas dy javësh aktivizim të tregoja më mirë vlerat e mia. Jam i kënaqur që atë që mendoja e realizova me patjetër. Çdo futbollist kudo është më i motivuar kur shënon njësoj si unë këtë herë. Me Egnatian besoj se do të shënoj më shumë gola, ky ishte i pari dhe me pak fat në anën time do ta nderoj fanellën e Egnatias. Kënaqësia është shumë e madhe në të tilla raste është fillim i mbarë për mua.
I keni nisur nga minuta e parë të dyja sfidat, jeni përshtatur shpejt?
Për mua është viti i tretë që luaj në Shqipëri. Nuk ka qenë e vështirë të përshtatem me skuadrën. Të gjithë shokët më kanë mirëpritur e jam njohur me lojën e tyre shumë shpejt. Përshtatja është shumë e rëndësishme kudo që të luash me cilëndo skuadër. Po ndihem mjaft mirë si nga puna dinjitoze e stafit, korrektësia e presidentit së bashku me drejtuesit. Pra, të gjithë tek Egnatia po bëjnë më të mirën që të renditemi sa më lart.
Premtoni gola të tjerë tek Egnatia në përgjithësi, duke parë se luani në sulm?
Së pari, rëndësi ka që ecuria e Egnatias të jetë në lartësinë e duhur. Më pas duhet të mendoj të shënoj edhe më shpesh. Do të ishte mirë që të jepja ndihmesën time me gola me cilindo kundërshtar që do të luajmë. Detyra e sulmuesve, golat, mbeten kryesorë gjithmonë, shpresoj të mos ndalem më. Punoj gjithmonë në stërvitje që të përfitoj sa më shumë rreth formës sime. Gjithashtu, edhe po nuk shënova, mjafton të jap kontribut edhe me asiste sa herë të më krijohet mundësia.
I keni shënuar Tiranës edhe më fanellën e Vllaznisë vjet. Mos ju sjell fat?
Jo vetëm Tiranës, por çdo skuadre tjetër do t’i shënoja nëse më del rasti. Ruaj kujtime me bardheblutë që kur isha pjesë e Vllaznisë dhe i befasova me atë gol timin. Mund ta quaj edhe çështje fati, pasi ne futbollistët duhet të kujtohemi se ecuria e skuadrës ka më rëndësi se e kaluara. Jam i gatshëm të jem në lartësinë e duhur sa herë të më kërkohet ndaj çdo skuadre që do përballemi radhazi.
Fundjava ju vendos përballë Skënderbeut. Si e vlerësoni?
Këtë përballje duhet ta vlerësojmë në çdo drejtim. Patjetër që synim është fitorja duke qenë se luajmë në shtëpi e nuk na lejohen gabimet. Tifozët nga ana tjetër do të na japin një shtysë për të qenë më të karikuar për rezultat pozitiv. Nga sa di, ata kanë ruajtur boshtin e sezonit të kaluar dhe do të shohin qëllimin e tyre. Besoj se do t’i kalojmë korçarët me sukses duke bindur në çdo aspekt.
Jeni ndier mirë tek Egnatia në këtë periudhë?
Të jem i sinqertë, jam ndier si në shtëpinë time. Te rrogozhinasit organizimi është perfekt që presidenti dhe deri te faktorët e tjerë. Bashkëpunimi na bën që të jemi të përqendruar pa masë. Që prej ardhjes u mësova me përditshmërinë dhe gjeta shumë respekt nga çdokush. E ndiej se në fushën e lojës do ta shpërblej në maksimum këtë mikpritje të madhe. Detajet pozitive ndonjëherë sjellin motivim të pakrahasueshëm. Përshtatja ishte që në fillim ajo që prisja dhe i falënderoj të gjithë me radhë për mbështetjen e dhënë.
Mendoni se do të jeni golashënues deri në fund të sezonit?
Pse jo! Nuk më mungon asgjë nga cilësitë e mia. Që në fillimet e karrierës kam pasur objektiv që të përgatitem sistematikisht e të ëndërroj më të mirën për veten. Gjatë sezonit ka edhe vështirësi po nëse vendos objektiv, angazhimi është më i madh. Përparësi ka që Egnatia të jetë brenda synimeve sezonale dhe unë më pas uroj të arrij shumë e më shumë. Golashënues do të thotë që veç paraqitjes së mirë të kesh edhe pak fat e që të dyja japin atë që kërkon. Një fanellë e besuar gjithmonë mbetet që ta nderosh në mënyrën më të mirë të mundshme.
Tek Egnatia jeni afruar si përforcim me vlera. Ku e shihni të renditur gjatë kampionatit?
Ne si skuadër duhet të shohim vetëm punët tona e në çdo përballje të marrim maksimumin pa kurrfarë problemi. Oreksi për të ngjitur shkallët shtohet javë pas jave, jo vetëm për ne, por për të gjithë. U nis keq java e parë pasi edhe emocionet bënë të vetën. Po ashtu edhe përshtatja me lojën. Kemi plot cilësi e vlera që na bëjnë të jemi sa më komodë në pritshmëritë tona.
Klubi ka investuar si në merkato edhe në infrastrukturë dhe patjetër që do të renditemi shumë më lart. Nuk më takon mua të them se në cilin vend, por rëndësi ka që çdo kundërshtar të na vlerësojë e jo të na quajnë të kalueshëm lehtësisht. Tek Egnatia do të bëj më të mirën. Nga sa e njoh kampionatin, gara është e fortë dhe nuk do të dorëzohemi.