Vllaznia U19 është vetëm “dy hapa larg” trofeut të dytë të këtij sezoni, atij “kampion i Veriut” dhe më pas padiskutim që fokusi do të jetë i përqendruar për shpalljen kampion i Shqipërisë për të tretën herë rradhazi.

Nëse ndodh kjo, njeriu që do t’i ngrejë i pari lart këto trofe është kapiteni i ekipit Elmir Lekaj. Një nga lojtarët më të spikatur të tij i cili jo më kot është grumbulluar së fundmi edhe në kombëtaren U20 për ndeshjen miqësore të këtij muaji ndaj Katarit.

Numri 20 i kuqebluve ka pranuar me kënaqësi të intervistohet për “Shkodra Sport” duke dhënë emocionet e ftesës në kombëtare por edhe ka folur për fundin e sezonit dhe pretendimet e Vllaznisë por edhe ato personale për të ardhmen.

– Lekaj, si e pritët ftesën për të qenë pjesë e kombëtares U20 për miqësoren ndaj Katarit?

– Normalisht u gezova shume pasi e mora vesh këtë ftesë sepse eshte nje enderr per çdo futbollit veshja e fanellës së kombëtares dhe njëkohësisht dhe nje pergjegjesi shumë e madhe te perfaqësosh ekipin kombetar.

– Ndërkohë me Vllaznia U19 duket se gjërat po ju shkojnë mirë, apo jo?

– Po, është e vërtetë se gjërat po na shkojnë mirë por ende nuk kemi përfunduar atë çfarë i kemi vënë plan vetes. Jemi rrugës për arritjen e objektivave tona.

– Do jeni sërish kampionë të Shqipërisë?

– Ashtu si dhe dy vitet e kaluara, shpresoj dhe besoj që edhe këtë vit do jemi kampionë.

– A është bukur për ty si kapiten të ngresh i pari lart trofeun e ekipit apo është një përgjegjësi më shumë? E bëtë këtë në Kupën e Shqipërisë dhe mund ta bëni edhe në vazhdim…

– Në rradhë të parë është përgjegjësi e madhe, pastaj normale që është një kënaqësi shumë e madhe të ngresh i pari trofeun.

– Për ju është viti i fundit me ekipin e të rinjve të Vllaznisë. Cilat janë objektivat tuaja për të ardhmen?

– Në rradhë të parë jam i fokusuar tek fundi i këtij sezoni. Shpresoj të shpallemi fillimisht “Kampion i Veriut” dhe më pas edhe “Kampion i Shqipërisë” me U19. Më pas, kuptohet që objektivi madhor është të debutoj me ekipin e parë të Vllaznisë, ekipin tim të zemrës ku jam rritur, por të shikojmë çfarë do të na sjellë e ardhmja.
© shkodrasport.com