Safet Osja dhe Ideal Lekiqi kanë drejtuar seancën e sotme stërvitore në Shkodër, ndërkohë që kapiteni Gilman Lika, në një prononcim për “Rtshsport”, flet për largimin e Likës dhe punën e mirë që ai bëri:

“Na erdhi keq sepse kaluam një vit shumë të mirë me profesor Hasanin. Gjej rastin që ta falënderoj sepse kaluam shumë mirë me të. Ne e kemi siguruar me 99% Superligën edhe në saj të meritave të profesor Hasanit. Por, duhet që të shohim përpara”, – tha Lika.

Synimi

Gilman Lika, në karrierën e tij ka provuar që të luaj në skuadra të njohura të vendit tonë, si Vllaznia, Tirana po dhe Flamurtari e Skënderbeu. Por, ka provuar që të luaj jashtë, në Arabi apo dhe Turqi. Lika, thotë se ka ende për të dhënë në futbollin e luajtur dhe fiksimi i tij më i madh mbetet titulli në Shkodër.

“Shpresoj që mos ta lë futbollin pa fituar një trofe e sidomos titullin kampion me Vllazninë. E kam si dëshirë të madhe dhe besoj se do t’ia dal. Po stërvitem dhe jam në formë të mirë kështu që vitet mbi supe dhe eksperienca do më ndihmojnë mua dhe Vllazninë.

Jam i bindur që do të rikthejmë skuadrën e Vllazninë në nivele të larta, aty ku e duan të gjithë në Shkodër dhe më gjerë”, – tha Gilman Lika, kapiteni dhe një nga pikat e forta të kuqebluve këtë sezon.