Sokol Haxhia, ish- menaxheri i disa prej lojtarëve më të njohur të Kombëtares shqiptare ka folur në emisionin “Sport News” për De Biasin në krye të Shqipërisë dhe disa prej lojtarëve që ka pasur në menaxhim.
Haxhia ka treguar se ardhja e De Biasit ka qenë një prej operacioneve më të vështira. Më pas ka folur dhe për disa prej legjionarëve më të mirë të cilët ka pasur në menaxhim. Më poshtë mund të lexoni një pjesë nga fjala e tij në emision.
De Biasi? “Është një nga operacionet e mia më të rëndësishme në karrierë si menaxher. U kurorëzua me fitoren që patëm me pjesëmarrjen në kampionatin Europian dhe nuk ishte thjeshtë transferimi i një trajneri normal, po u bë një trajner legjendë dhe është normal operacioni është një nga ato më të rëndësishme dhe pse ka bërë operacione të tjera të rëndësishme me lojtarët e Kombëtares”.
Shans rikthimi për De Biasin? “Ai është me kontratë si gjithë trajnerit. Për mendimin tim unë jam kundër rikthimit të trajnerëve kur bëjnë mirë me një vend, është mirë të mos kthehesh më sepse është e vështirë të përsërisësh të njëjtin sukses. Ai ngel nga më të suksesshmit në historinë e Shqipërisë, por për mendimin tim duhet të provojmë dhe me figura të reja të futbollit ndërkombëtar sepse mund të japin akoma më mirë”.
Cila ka qenë lëvizja më e mirë përveç De Biasit? “Më të mirat janë ato që kanë qenë në kampionatet më të rëndësishme. Mund të jetë rasti i Armando Vajushit, që nga Bullgaria erdhi në Serinë A te Chievo Verona. Një nga transferimet e mia të para është Jahmir Hyka që shkoi nga Tirana te Mainzi. Por edhe të shkosh të trajtosh me klube, si për shembull Roma kur i bëmë kontratën e parë Ndojit, pastaj me transferimin nga Roma te Brescia.
Këto mund të them që janë transferimet pak më të suksesshme dhe më të rëndësishme. Por Sadiku, karriera e tij kur e çova te Lugano. Çdo transferim ka të veçantën e vet. Por këto në kampionatet më të rëndësishme janë ato që të mbeten në sy”.
Sadiku? “Edhe pse sot e kësaj dite nuk kemi më lidhje lojtar-menaxher, ne kemi një lidhje shoqërore. Jemi miq”.
Nuk e bëre transferimin në Serinë A? “Për sa i përket Serisë A, do t’iu them diçka që nuk e di askush në Shqipëri. Kur Sadiku luante te Lugano, ish-presidenti i Genoas në Serinë A kishte kuota te Lugano. Në momentin që presidenti i Luganos do e nxirrte jashtë duke e paguar, ai tha: “Unë dua Sadikun”.
Ishte periudhë vere dhe vetëm kur merr Gianluca Di Marzio dhe më tha: “Jam në Milano. Prenciosi dhe presidenti i Luganos janë duke bërë transferimin e Sadikut”. I thashë “Ok”. Çdo gjë e bënë gati. Duhej larguar një uruguaian. Ai nuk pranoi transferimin te Parma dhe kjo ishte arsyeja pse Armando nuk u transferua dot në Itali”.
Lojtarin më të rëndësishëm që ke pasur në duar? “Për sa i përket nga ana e talentit dhe pse s’ka arritur një karrierë të madhe se ka pasur operacione në gju etj. ka qenë Armando Vajushi. Ishte një lojtar i rëndësishëm dhe në Itali bëri shumë mirë. Për sa i përket talenteve, në këtë moment është një periudhë në dishezë. Është Emanuele Ndoj. Nuk e menaxhoj unë në këtë moment, por shpresoja që ai do të bënte një karrierë më të madhe nga kjo që po bën”.
Sa ka ndryshuar tregu në Itali? “Unë këtë gjë e kam parashikuar. Në momentin që në çdo vend të botës, edhe në Zvicër, pse kanë luajtur kosovarët? Sepse kanë qenë fëmijët e familjeve emigrante që janë rritur në Zvicër. E njëjta gjë po ndodh dhe në Itali. Ndoj ka lindur në Itali, Asllani ka lindur në Itali.
Memushaj ka ardhur që kalama. Ka shumë shqiptar që sot luajnë në ekipet e të rinjve të ekipeve të Serisë A dhe Serisë B. Me batutë i kam thënë dhe italianëve që: “Italia mbas 2-3 vitesh do të ketë disa shqiptarë në kombëtare”. Shumë nga këto djem nuk mund të zgjedhin për kombëtaren tonë por për kombëtaren italiane”.