Vllaznia ka nisur një epokë të re, atë të privatizimit të klubit në masën 100 %, që e lë për herë të parë jashtë administrimit bashkinë Shkodër. Alban Xhaferi është zyrtarisht presidenti i ri i kuqebluve dhe tashmë ëndrra e tij është të rikthejë titullin kampion dhe gjithashtu të bëjë atë që bëri Skënderbeu dy herë, kualifikimin në fazën e grupeve në kompeticionet e UEFA-s.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, kreu i klubit flet për ambiciet që ka nën drejtimin e shkodranëve, problematikën e borxheve të prapambetura dhe deri te finalja e humbur së fundmi për Superkupën e Shqipërisë ndaj Teutës.

Alban, si është të jesh edhe “de jure” president i Vllaznisë?

Natyrisht është krenari dhe vazhdim i një projekti që ka disa muaj që ka nisur. Normalisht për mua është ndjesi e veçantë, por më shumë është një ndjenjë përgjegjësie. Teknikisht kemi të bëjmë tashmë me një menaxhim që do të jetë komplet i privatit, në ndryshim nga e kaluara, që ka qenë në bashkëpunim me bashkinë Shkodër. Gjithmonë përgjegjësitë janë të mëdha, por jam i bindur se ndryshimi në klub do të jetë shumë pozitiv. Do të luftojmë fuqishëm për këtë pjesë…

Cila është ëndrra juaj nën drejtimin e Vllaznisë?

Që në momentin që i jam futur kësaj rruge, qëllimi ka qenë vetëm suksesi. Pra, të futemi në rrugën e titujve dhe pjesëmarrjes së rregullt në Europë, por gjithashtu të përmirësojmë sa më shumë akademinë. Dua që të ndërtojmë një klub funksional në të gjitha aspektet, si në atë financiar, menaxhimin, marketingun dhe rritjen e infrastrukturës.

Pak a shumë këto janë bazat që mund t’i quaj si ëndrrat e mia në drejtimin e klubit të Vllaznisë. Dua që të jetë një klub që të luftojë gjithmonë për titullin në Superiore dhe të kap një ditë fazën e grupeve të ndonjë prej kompeticioneve të UEFA-s. Këto janë ambiciet e mia dhe shpresoj që t’i bëjmë realitet së shpejti.


Ju besoni se Vllaznia mund të kthehet në një klub rentabël dhe të prodhojë të ardhura të rëndësishme për realitetin shqiptar?

Unë kam bërë një plan biznesi përpara se t’i futem kësaj rruge, pra se si mund të menaxhohet më mirë Vllaznia dhe klubi të prodhojë të ardhura. Në stadin që jemi, ne duhet të vetmenaxhohemi. Ky do të ishte sukses për momentin në klubin tonë, por nuk mendoj se futbolli në Shqipëri ka të ardhura të rëndësishme.

Vërtet mund të gjenerosh të ardhura nga shitja e lojtarëve apo pjesëmarrja në Europë, por nga ana tjetër, klubi në vetvete ka shpenzime të jashtëzakonshme brenda një sezoni. Por, kur arrin në një nivel të mirë, gjithmonë do të kërkosh më shumë. Megjithatë, qëllimi parësor i yni në fund të sezonit është që klubi të jetë rentabël sa i përket anës financiare, për shpenzimet dhe arkëtimet.

Sa beson te titulli kampion këtë sezon?

Besojmë shumë, prandaj dhe kemi marrë përsipër këtë. Ia kemi bërë hyzmetin çdo gjëje deri më tani për të luftuar për titullin kampion që nga java e parë dhe deri në fund. Vllaznisë i mungon titulli prej dy dekadash, por unë mendoj se kemi bërë një skuadër të mirë, ku kemi përforcuar çdo repart në të gjitha aspektet. Besoj se Vllaznia është një nga pretendentet kryesore për titullin në sezonin e ri. Shpresojmë që këtë ta bëjmë realitet në fund të kampionatit.