Klubi i Lacios vazhdon të ketë një lidhje të veçantë me futbollistët shqiptarë në dekadat e fundit duke u hapur dyert shumë prej tyre sidomos në periudhën kur drejtor sportiv u bë Igli Tare. Por edhe pas largimit të tij, në radhët e këtij klubi vazhdoi të ishte Elseid Hysaj.
Mbrojtësi i Kombëtares qëndroi për 5 vite si pjesë e bardhekaltërve dhe në fund të këtij sezoni po bëhet gati t’i japë lamtumirën pasi i përfundon kontrata që ka me ta. Megjithatë, vendin e Hysajt pritet ta zërë një tjetër futbollist i cili ka veshur fanellën kuqezi.
Sipas mediave italiane, sulmuesi shqiptar Kristian Shpendi është piketuar nga Lacio për sezonin e ardhshëm, pasi klubi po kërkon përforcime me kosto të ulët për fazën ofensive. Shpendi ka bërë mirë në këto dy vite në Serinë B dhe ka treguar se mund të jetë një alternativë cilësore, ndaj te Lacios e shohin si prioritet afrimin e tij, duke marrë në konsideratë moshën e re dhe vlerën jo shumë të lartë të kartonit.
Kristian Shpendi ia doli të debutonte me Shqipërinë gjatë vitit të kaluar, duke luajtur në një miqësore ndaj Gjibraltarit, ku edhe fitoi penallti.


