Belajdi Pusi vuajti shumë gjatë kësaj periudhe për shkak të dëmtimit, por tani është rikthyer dhe i gatshëm për të ndihmuar Skënderbeun.
E bëri më së miri në ndeshjen e parë pas shumë kohësh me një gol dhe një penallti të fituar. Belajdi Pusi tashmë shënjestron Kukësin dhe finalen e Kupës.
I ndodhur në një situatë të tillë, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi shkodran thekson se Skënderbeu është ekipi më në formë për momentin në Superiore dhe nuk do të ishte çudi që të konfirmoheshin si surprizë edhe në Kupë.
Si e pritët këtë fitore ndaj Apolonisë?
Ndeshja me Apoloninë ishte një ndeshje vendimtare për objektivin që kemi ne si klub dhe si skuadër. Jemi të lumtur që ia dolëm me sukses të merrnim 3 pikët, pasi edhe pse nuk ishte një kundërshtar me objektiv real, u impenjua dhe respektoi kampionatin. Tani duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës që të marrim maksimumin edhe në vijim.
Për herë të parë, pas shumë kohësh, Skënderbeu është në vendin e shtatë dhe larg rënies. Ju kënaq ky moment?
Në fillim të sezonit kemi kaluar një periudhë të vështirë, edhe pse kemi prodhuar lojëra të bukura. Ato që na kanë munguar kanë qenë pikët. Diçka e tillë mendoj se vinte për faktin që jemi ekip me lojtarë të rinj. Por, me kalimin e ndeshjeve, dëshirën e lojtarëve, punën e palodhshme të stafit dhe mbështetjen e presidentit kemi ardhur në rritje si ekip nga ndeshja në ndeshje.
Mund të themi se gjithçka u mbyll apo ka ende “vuajtje”?
Ne duhet të luftojmë deri kur ta sigurojmë matematikisht mbijetesën, pasi asgjë nuk është mbyllur përfundimisht. Prandaj, jam i mendimit se nuk ka vend për relaksim tani, sepse janë ndeshje shumë të rëndësishme këto që na presin.
Ndeshja me Kukësin është përcaktuese?
Ndeshjen me Kukësin ne do ta shohim si një ndeshje të radhës jo si një takim përcaktues. Duhet që në këtë pikë që jemi të shmangim presionin artificial dhe të bëjmë maksimumin si çdo ndeshje tjetër që kemi luajtur javët e fundit.
Pas dëmtimit që ju mbajti gjatë jashtë fushave jeni rikthyer me gol…
Lumturia më e madhe është dalja nga vuajtja dhe normalisht që është diçka e bukur të kthehesha me gol pas një periudhe jopozitive për shkak dëmtimi. Shpresoj ta kem lënë mbrapa dëmtimin dhe të vazhdoj ta ndihmoj ekipin sa më shumë të jetë e mundur në vazhdim.
A e keni menduar të ardhmen? Do të qëndroni në Korçë apo do të gjeni tjetër destinacion?
Në Korçë ndihem shumë mirë dhe është bërë si shtëpia ime e dytë. Unë do të jem gjithmonë mirënjohës për çka më ka dhënë Korça dhe Skënderbeu. Për momentin po mendoj vetëm të bëj maksimumin në ndeshjet e radhës dhe finalen e Kupës që është diçka shumë e bukur për ne.
Vllaznia në finale me Skënderbeun. Si shkodran, ku shkon Kupa?
Ne jemi surpriza e Kupës dhe kampionatit, sepse askush nuk e ka menduar që një ekip si ne me lojtarë të rinj do të shkonim në finale, sidomos pas atyre momenteve që po kalonim atë periudhë. Kemi treguar se mund të fitojmë edhe me ekipet e vendeve të para dhe kjo na jep besim se edhe në Kupë mund t’ia dalim.
Vllaznia, ende në garë për titull apo tashmë është e vështirë?
Derisa matematika e lejon, normalisht që ata duhet të luftojnë deri në fund, sepse kanë ekip shumë të mirë dhe mund t’ia dalin.