Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, ka reaguar ashpër ndaj presidentit të Laçit, Pashk Laska. Ky i fundit i përmendi emrin Gjicit, në lidhje me një deklaratë që presidenti i verilindorëve kishte bërë pak javë më parë për pretendentët për titullin kampion, duke thënë se e meriton Partizani.

“Çfarë lidhje kam unë me Pashk Laskën…?!”, thotë fillimisht Gjici ekskluzivisht për “Panorama Sport” pasi informohet për atë që ka deklaruar kreu i klubit kurbinas. Më pas, ai sqaroi se nuk i intereson se cili ekip del kampion në momentin që klubi i tij ka dështuar. “As nuk më duhet fare. Emrin tim e përmend e gjithë Shqipëria, jo Laska që është i mbaruar!

Unë atë deklaratë e kam bërë pas ndeshjes me Partizanin, jo para se të luanim ndaj tyre. Ai të shikojë punët e veta… Nuk arriti të dalë kampion me Laçin dhe tani flet në ajër. Ku e di ai se kush do të dalë kampion?! Mund të themi çfarëdo skuadre të duam, por në fund fare nuk dihet cila merr titullin, sepse nuk e vendosim ne.

Unë shikoj ekipin tim, nuk më duhet Pashku dhe të tjerët. Për mua ta fitojë kush të dojë kampionatin. Në momentin që nuk e ka marrë Kukësi titullin, as më intereson fare për të tjerët”, deklaroi presidenti i verilindorëve.

SITUATA TE KUKËSI

Gjici paralajmëron “furtunë” në klub pas përfundimit të këtij sezoni, të cilin e cilëson të dështuar totalisht. Megjithatë, ai zbuloi edhe urdhrin që ka dhënë për skuadrën në ndeshjet e mbetura, ndërsa foli edhe për të ardhmen e trajnerit Mirel Josa.

“Nuk mund të kënaqem se morëm këto fitoret e fundit… Ky sezon është dështim i madh për Kukësin. Duhet të mbajnë të gjithë përgjegjësi në klub që merren me këtë punë, duke filluar nga stafi te lojtarët. Të jem i sinqertë, nuk jam marrë shumë me ekipin këtë periudhë, pasi jam në bashki.

Duhet të jemi ‘Fair Play’ deri në fund, kjo është e rëndësishme në këtë moment. Nuk më duhet fare se cila skuadër bie apo qëndron në Superiore, shohim punët tona. Ua kam bërë të qartë në klub, përmes administratorit, se duhet të luajnë drejt deri në fund.

Klubi i Kukësit nuk duhet të përflitet për asnjë rast. Mua nuk më ndihmon askush, pse duhet të bëjmë ne dhurata?! Nuk kemi asnjë arsye, do të luajmë në mënyrën më korrekte të mundshme”, ka thënë Gjici. I pyetur për planet që ka për sezonin e ri dhe çështjen e trajnerit, presidenti foli hapur.

“Për sezonin e ri po merren drejtuesit në klub, por natyrisht fokusi do të jetë te merkatoja, për të afruar disa lojtarë cilësorë. Personalisht po merrem më tepër me stadiumin, ku presim të kthehemi sa më shpejt në fushën tonë. Josa? Do ta shikojmë. Po i fitoj edhe dy ndeshjet e mbetura, edhe mund të qëndrojë. Nëse nuk i fiton, nuk e di se ku shkon Josa dhe të gjithë çfarë janë aty”, përfundoi kryetari i Bashkisë së Kukësit.