19 maj 1960- 19 maj 2021, sot mbushen 61 vjet nga dita e lindjes së njërit prej emrave më të mëdhenj të çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar, Agim Tafilit.

Për fat të keq, prej më tepër se nentë vitesh këtë kampion të madh nuk e kemi më mes nesh por gjithsesi, një përvjetor i tillë kuptohet që na detyron të rikthejmë edhe njëherë vëmendjen tek ai, për ato se çfarë Tafili i madh ka bërë në sport.

Një njeri i rrallë për nga vlerat sportive por edhe njerëzore, që diti të transmetojë tek të gjithë respektin e një lideri dhe të një sportisti të madh.

Titujt e shumtë kampion të fituar si individ por edhe ndihma e jashtëzakonshme që dha për ekipin në fitoren e shumë trofeve bashkë me të vëllanë Sytkinë, Brahim Sykën e të tjerë çiklistë, e bëjnë Vllazninë e viteve ’80 në çiklizëm, të paarritshme.

Të gjithë kanë vlera të jashtëzakonshme në këto arritje, bashkë edhe me trajnerët Gani e Ruzhdi Muriqi, por gjithsesi Agim Tafili ka qenë ai që i udhëhiqte të gjithë.

Agim Tafili ka fituar 6 herë Rrethin Çiklistik të Shqipërisë si individ në vitet 1979, 1980, 1981, 1982, 1984 dhe 1985. Ai e ka fituar titullin e lartë “Mjeshtër i merituar i sportit” në moshën 25 vjeç.

Ne nuk na mbetet gjë tjetër përveçse ta kujtojmë edhe sot në këtë 60 vjetor të lindjes së tij, por do ta bëjmë këtë gjë edhe në të ardhmen sepse Agim Tafili është i pavdekshëm!
Gjergj KOLA