Humbja në Shkodër ka zhgënjyer jo pak kampionët në fuqi të Shqipërisë. Më shumë djeg fakti që në dy ndeshjet e fundit në kampionat Teuta ka pësuar plot tetë gola. Megjithatë, në prag është sfida me Dinamon, e cila është planifikuar të luhet të dielën në orën 16:45 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Sikur të mos mjaftojnë problemet sa u përket rezultateve dhe golave të shumtë të pësuar, trajneri Renato Arapi ka marrë një lajm të keq për mbrojtjen. Harrallamb Qaqi dhe Blerim Kotobelli do të jenë dy mungesa të sigurta ndaj Dinamos, pasi i pari mori karton të kuq ndaj Vllaznisë, ndërsa i dyti plotësoi numrin e tyre dhe kësisoj janë të detyruar të mos jenë të gatshëm në takimin e radhës.

Duke shtuar këtu faktin që as braziliani Xhekson nuk është në gjendjen e tij më të mirë për shkak të dëmtimit të pësuar kohë më parë, Arapi duhet të ribëjë mbrojtjen për ndeshjen ndaj Dinamos. Të gatshëm për qendrën kanë mbetur vetëm Jazxhiu dhe Ivanoviç, por trajneri ka ndryshuar skemën dhe ka preferuar të luajë me tre në prapavijë. Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë ndryshimet.

Rubin Hebaj nuk e bën edhe aq dramë humbjen ndaj Vllaznisë, ndërsa ka premtuar se Teuta do të ketë një fytyrë tjetër në vazhdimësinë e sezonit. “Me rezultatin nuk jam i kënaqur. Vërtet shënova, por më vjen keq që nuk ishte mjaftueshëm për të barazuar apo fituar këtë përballje në Shkodër.

Edhe kur shkoi ndeshja 3-0, nuk u dorëzuam. Shpresa të mban në lojë dhe besuam, por në fund nuk na mjaftoi. Nuk mendoj që jemi në krizë, pasi ne fituam me Skënderbeun në Kupë dhe në kampionat. Më shumë është një çështje përqendrimi sesa kualiteti.

Megjithatë, kemi kohë për të korrigjuar në javët në vazhdim”, ka thënë Hebaj për “Panorama Sport”, ndërsa ka folur edhe për situatën e tij. “Dua të shënoj sa më shumë këtë sezon me Teutën. Kontratën e kam për një vit këtu në Durrës, shpresoj të bëj sa më mirë dhe të fitojmë trofe”.