Vllaznia me fitoren e fundit ndaj Teutës po e mban fort korsinë e rezultateve pozitive, por këtë fundjavë kanë një provë force dhe karakteri, ku do të përballen me Partizanin në kryeqytet. Kapiteni Erdenis Gurishta është i mendimit se Vllaznia ka ende shpresë për titull kampion.

Sipas tij, kuqeblutë i presin edhe 16 finale të tjera, ndaj derisa matematika do ua lejojë do të luftojnë edhe për objektivin madhor. Pra, shkodranët nuk janë dorëzuar në kampionat dhe veç sigurimit të biletës për në Europë, shpresojnë edhe te titulli. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Gurishta foli edhe për përballjen e radhës ndaj Partizanit, ku kërkon nga skuadra që të japin më të mirën dhe të dalin me sukses nga kjo transfertë.

Një fitore që u mendua e lehtë pas rezultatit 3-0, çfarë ndodhi më pas me Vllazninë?

E kishim vlerësuar shumë ndeshjen kundër Teutës dhe ndoshta pas 3 golave të shënuar disa menduan se misioni u arrit, ndonëse kishim luajtur vetëm 16 minutat e para. Kjo na bëri që të lëshonim shumë. Më mirë që na ndodhi në pjesën e parë dhe reaguam në të dytën. Situata të tilla duhet që të na bëhen mësim.

Tri pikë që ju mbajnë në tonus për kreun, a do të vazhdojë skuadra që të luftojë për kreun?

Çdo ndeshje do ta vlerësojmë si finale deri në fund të kampionatit, ku edhe do të shohim se ku do të arrijmë. Unë kam besim të plotë te grupi dhe forca e Vllaznisë.


A do të jetë Vllaznia në Europë përmes biletës nga kampionati?

Lufta jonë është në kampionat dhe do të japim gjithçka që të realizojmë objektivat. Kjo nuk do të thotë që nuk e kemi prioritet Kupën. Kemi kohë të mendojmë për gjysmëfinalet e Kupës dhe do të mundohemi të përsërisim suksesin e vitit të kaluar. Ndaj, deri atëherë të gjitha bateritë do t’i shpenzojmë në kampionat.


Në fundjavë do të jeni përballë Partizanit, si e shikoni këtë sfidë?

Pa diskutim që është një ndeshje shumë e fortë. Do e vlerësojmë Partizanin, sepse ka një ekip të mirë dhe me lojtarë shumë të mirë. Pavarësisht se s’ka pasur rezultatet e duhura, por dihet kush është Partizani dhe pesha që ka ajo fanellë.


Shpresoni ta vazhdoni serinë e fitoreve edhe ndaj Partizanit?

Duhet të vazhdojmë serinë e fitoreve. Nuk kemi treguar vazhdimësi fitoresh në këtë kampionat dhe besoj se është momenti ta bëjmë një gjë të tillë.

Ku duhet të bëjë më shumë kujdes Vllaznia në këtë sfidë me të kuqtë?

Sigurisht që duhet kujdes, sepse Partizani ka lojtarë që mund të të ndëshkojnë nga momenti në moment. Megjithatë, ne duhet të zhvillojmë lojën tonë dhe të kemi besim te fitorja.