Numri i futbollistëve shqiptarë që luajnë në Itali është i madh dhe të shumtë janë ata të çilët janë protagonistë te skuadrat e tyre dhe shihen si elementë cilësorë për të ardhmen e Kombëtares shqiptare.

Një nga to, është Erald Lakti që aktivizohet me Fiorentina Primavera dhe mban në krah shiritin e kapitenit, duke qenë se një nga futbollistët më të dalluar në akademinë e klubit violë.

Talenti nga Shkodra, së fundmi ka udhëhequr skuadrën e tij drejt triumfit në Kupën e Italisë për të rinj. Ai ka qenë titullar në takimin e fituar nga skuadra e tij përballë Torinos, duke qenë një nga më të dalluarit në fushë.

Në përfundim të takimit, kapiteni është shprehur se skuadra e tij e ka merituar këtë fitore pas finaleve të shumta që ka humbur. “Vuajtëm dhe u lodhëm shumë por në fund ia vlejti.

E nisëm mirë takimin dhe kishim fat, por na vjen shumë mirë dhe ndihemi të lumtur që më në fund ia arritëm të fitojmë një trofe, pas shumë finaleve që kemi humbur. Duhet ta lëmë pas festën dhe tashmë të mendojmë për kampionatin dhe të bëjmë mirë edhe aty”, tha Lakti pas ndeshjes. /VipSport/