Te Juventusi nuk do të ketë vend për festë, edhe pse titulli kampion, i cili mund të vijë që në pasditen e sotme, do të jetë diçka që nuk ka arritur ta bëjë askush në Itali. Kjo, edhe për faktin se lajmet e djeshme nga qendra stërvitore bardhezi nuk janë aspak pozitive, ndonëse gjithçka do të vendoset nesër pasdite (të dielën), kur është parashikuar testi i forcës për tre prej lojtarëve më të rëndësishëm të “Zonjës së Vjetër”.

Shqetësimi më i madh për Juventusin vjen nga mbrojtësi Xhorxho Kielini.Edhe ditën e djeshme, kapiteni i skuadrës torineze nuk ka shfaqur shenja pozitive në lidhje me tërheqjen që e ka shqetësuar në javën e fundit.

Gjiganti i kampionëve të Italisë po punon shumë për të qenë në dispozicion për ndeshjen e së martës, atë me Ajaksin, ku siç ka nënvizuar edhe trajneri Alegri në konferencën për shtyp, do të jetë testi fizik i ditës së diel ai që do të konfirmojë prezencën ose jo të liderit të prapavijës juventine.

Edhe për Emre Xhan, dhimbjet në kavilje vazhdojnë, ndonëse në rastin e gjermanit ka optimizëm se mund t’ia dalë për çerekfinalen e ndeshjes së kthimit. Por ndërkohë, lajmi që nuk duhej është ai mbi Duglas Kostën. Braziliani, të cilit i mjaftuan 20 minutat e fundit të ndeshjes në Amsterdam për të ndërprerë dominimin e Ajaksit në fushë, madje duke goditur edhe shtyllën në sekondat finale pas një aksioni shpërthyes personal, është bërë sërish për spital.

Anësori ofensiv i Juventusit ka dalë me një kontraktim në pulpë pas duelit në Ligën e Kampioneve dhe sot do të vijë diagnoza mbi dëmtimin e tij. Një lojtar si Duglas Kosta, duke parë edhe shpejtësinë e lojës së Ajaksit, duket shumë i rëndësishëm për ndeshjen e kthimit me holandezët, prandaj të gjithë në Torino shpresojnë që të mos ketë asgjë serioze.