Tashmë është zyrtare se kujt do t’i besohet drejtimi i Skënderbeut për sezonin e ri futbollistik. Pas shumë emrave të përfolur gjatë javëve të fundit për pankinën bardhekuqe, klubi korçar ka vendosur t’ia besojë sërish skuadrën Julian Ahmataj, i cili rikthehet për herë të dytë në krye të Skënderbeut.
Sipas “Korça Boom”, lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga klubi, ndërsa në takimin ku u finalizua marrëveshja ishin të pranishëm presidenti Ardjan Takaj dhe Drejtori Sportiv, Ardi Gjançi. Palët kanë shtrënguar duart dhe kanë uruar një bashkëpunim të suksesshëm në vazhdim, edhe pse nuk janë bërë publike detajet e kontratës së firmosur.
Rikthimi i Ahmatajt në Korçë shihet si një lëvizje e rëndësishme për klubin, në një moment kur Skënderbeu synon të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe të rikthehet në nivelet që i takojnë. Trajneri tashmë do të ketë përpara një mision jo të lehtë, duke nisur fillimisht nga merkatoja dhe ndërtimi i grupit për sezonin e ri.
Tifozët e Skënderbeut tashmë presin me interes lëvizjet e para të merkatos dhe projektin që trajneri i ri do të ndërtojë për sezonin që pritet të jetë mjaft sfidues për skuadrën korçare.


