Friday, May 22, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENdeshja me Egnatian, Vllaznia merr 'garanci' nga tifozët

Ndeshja me Egnatian, Vllaznia merr ‘garanci’ nga tifozët

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia do të ketë sërish pranë mbështetjen e tifozëve të saj në transfertën e radhës në Tiranë, aty ku kuqeblutë do të luajnë një tjetër sfidë vendimtare të “Final 4”. Pavarësisht zhgënjimit që la humbja 0-2 ndaj Dinamos në përballjen e parë, mbështetësit shkodranë nuk duken të gatshëm të braktisin ekipin në momentin më delikat të sezonit. Përkundrazi, atmosfera që po krijohet në qytetin verior tregon se besimi te skuadra vazhdon të mbetet i fortë.

Edhe pse këtë herë nuk pritet i njëjti numër i madh tifozësh si në sfidën ndaj dinamovitëve, sërish prania kuqeblu në shkallët e stadiumit “Air Albania” pritet të jetë e konsiderueshme. Tradicionalisht, tifozët e Vllaznisë kanë ditur t’a kthejnë këtë impiant në një “shtëpi” të dytë për skuadrën e tyre dhe e njëjta atmosferë pritet të krijohet edhe në këtë përballje kaq të rëndësishme për fatet e titullit kampion.

Në organizimin e tribunave rol të rëndësishëm pritet të kenë edhe “Vllaznit” ultras, të cilët prej vitesh janë zemra e tifozerisë kuqeblu. Ata kanë nisur përgatitjet për koreografinë, organizimin dhe koordinimin e tifozëve, me synimin për të krijuar një atmosferë sa më të zjarrtë në mbështetje të ekipit. Këngët, flamujt dhe entuziazmi shkodran pritet të dominojnë sërish në tribunat e impiantit kryeqytetas.

Mbështetja e tifozëve konsiderohet një element shumë i rëndësishëm për skuadrën në këtë moment të sezonit. Futbollistët dhe stafi teknik e dinë se pas tyre qëndron një qytet i tërë që vazhdon të besojë te rikthimi dhe te mundësia për të luftuar deri në fund për titullin kampion. Pikërisht për këtë arsye, prania e tifozëve në stadium shihet si një shtysë morale e madhe për kuqeblutë.

Burimi. Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments