Shkruar nga Gjergj KOLA
Atletika në Shkodër ka nxjerrë shumë kampionë të mëdhenj. Kampionë e rekordmenë që jo vetëm kanë lartësuar emrin e Vllaznisë, por edhe të kombëtares shqiptare.
Njëri prej tyre është edhe Ardian Zhuraj, një atlet i cili për shumë vite me radhë u shpall kampion i Shqipërisë në garat me pengesa. Ndalemi sot te ky sportist, sepse përkon me ditëlindjen e tij. Ai feston 56-vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së Gazeta “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Ardian Zhuraj, i lindur më 2 korrik 1970, iu përkushtua atletikës dhe arriti të regjistrojë rezultate shumë të mira, çka bëri që ai të renditej ndër kampionët më të spikatur të Shqipërisë për disa vite me radhë. Garat e tij të preferuara kanë qenë ato me pengesa, ku ka arritur të shpallet disa herë kampion i vendit
Falë punës së tij të madhe, nën drejtimin e trajnerit Gëzim Mema, ai arriti shumë suksese, si në aspektin individual, ashtu edhe duke i dhënë shumë pikë Vllaznisë në fitimin e disa titujve kampionë.


