Në Shkodër ka patur shumë sportistë të cilët në vite kanë spikatur me paraqitjet e tyre. Me titujt kampion, me rekordet dhe medaljet e shumta të fituara. Një ndër to padyshim që është edhe peshëngritësi i mirënjohur Asim Belinova. Ai njihet nga të gjithë si një kollosët e këtij sporti.
Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të ditëlindjes së tij. Mjeshtri i shtangës feston 77 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport”, por edhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Asimi ka lindur në Shkodër më 2 gusht 1947 dhe me sportin e peshëngritjes do të lidhej që në moshë të vogël duke shfaqur menjëherë elementet e një sportisti me shumë perspektivë dhe kështu do të ndodhte sepse karriera e tij e mëvonshme flet vetë për sukseset e shumta që ai ka arritur.
Ka thyer mbi 100 rekorde gjatë karrierës së tij dhe ky është treguesi më i mirë i vlerave që ka poseduar, ashtu si dhe numri i madh i titujve kampionë në peshën e tij.
Mban titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit” sepse nuk ka si të jetë ndryshe për atë çfarë i ka dhënë sportit shkodran dhe atij shqiptar për shumë vite me rradhë. Ndërkohë është vlerësuar edhe nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” me rastin e festimeve të 100 vjetorit të SK Vllaznia.
Gëzon edhe shumë tituj të tjerë, të cilët i kanë ardhur pikërisht prej arritjeve shumë të mëdha gjatë karrierës së tij. Ndërkohë për shumë vite ai ka qenë edhe një nga drejtuesit e lartë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes duke dhënë kontributin e tij për këtë sport edhe në këtë mënyrë.
Sakaq palestra e peshëngritjes së Vllaznisë e ndërtuar në nëntorin e vitit 2022 ka marrë emrin e tij, një tjetër vlerësim ky për figurën e Asim Belinovës. Mbetet një nga figurat e mëdha të sportit shkodran dhe shqiptar.
Gjergj KOLA