Futbollisti shkodran Sebastjan Spahiu ishte heroi i Egnatias kundër Kukësit, teksa shënoi një supergol nga distanca. Mesfushori shkodran foli dje ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke treguar edhe disa detaje të pathëna të karrierës së deritanishme.
Ai shpreson që me Egnatian të fitojë titullin, ndërsa vlerëson pritjen që i është bërë në Rrogozhinë.

Sebastjan, shënuat një supergol me vlerën e 3 pikëve…?

Jam shumë i lumtur që arrita të ndihmoj ekipin tim të rikthehet te fitorja. U futëm në fushë për të dhënë maksimumin. Për mua nuk ka rëndësi nëse shënoj apo asistoj, primare mbetet vazhdimësia e klubit dhe ecuria sa më e mirë.


Çfarë menduat teksa goditët topin nga distanca?

U gjenda në një pozicion të mirë dhe nuk e mendova dy herë pas shërbimit të Duamenës. Kam besim tek aftësitë e mia dhe gjithmonë trajneri dhe shokët më kërkojnë që të godas portën. Kisha besim që topi do të shkonte në rrjetë, pasi nuk pata edhe kundërshtarë afër në momentin e goditjes. Shokët e skuadrës më thanë që ke realizuar një gol fantastik. Rëndësi ka që tifozët u gëzuan dhe ne fituam.

Cili është objektivi personal sa u takon golave këtë sezon?

Objektivi im është të ndihmoj ekipin, qoftë edhe duke asituar. Për mua rëndësi ka arritja e objektivit të klubit dhe jo golat e mi. Unë jam gjithmonë në dispozicion për të dhënë shërbimet e mia.

Skema 4-3-3 që aplikon trajneri Tetova ju përshtatet më shumë për karakteristikat që keni si mesfushor me tipare sulmuese?

Unë jam përshtatur mirë dhe shpejt me filozofinë e profesor Tetovës. Në fakt, unë luajë në krah të djathtë të sulmit me Egnatian, një pozicioin që po mundohem të jap maksimumin. Megjithatë, roli im është trekuartist, si 10 i pastër. Në fakt, këtë rol e bëj shpesh gjatë lojës, pasi aty gjej veten, por nuk e kam problem se ku luaj. Unë përpiqem të bëj më të mirën aty ku trajneri më aktivizon.

Përpara se të vinit në Shqipëri dhe të firmosnit me Laçin, nuk keni luajtur afro një sezon. Menduat për një moment tërheqjen nga futbolli?

Kam luajtur në Belgjikë dhe Spanjë, por në një moment nuk po gjeja skuadër në divizionin e dytë në Belgjikë dhe në këto kushte kam qëndruar rreth 10 muaj pa luajtur. Në fakt, stërvitesha individualisht dhe ishin vëllezërit ata që më sugjeruan futbollin shqiptar. Nuk dija asgjë se çfarë ndodhte këtu. Erdha për të nisur stërvitjen te Laçi dhe pas një jave binda drejtuesit. Sot ndihem i lumtur që po bëj mirë me Egnatian dhe kjo më motivon të tejkaloj çdo ditë veten.


Si jeni përshtatur në qytetin e Rrogozhinës?

Jam duke kaluar një pjesë të bukur të karrierës sime këtu në Rrogozhinë. Qëndroj në një hotel me lojtarët e tjerë të klubit dhe fakti që kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me njëri-tjetri, ma ka bërë më të lehtë ambientimin. Njerëzit janë fantastik këtu, pasi më flasin dhe përqafojnë teksa më shohin. Më kanë befasuar, pasi edhe pse Rrogozhina është një qytet i vogël dhe me pak traditë sa i takon futbollit të gjithë, njerëzit jetojnë me futbollin dhe përpiqen të informohen duke na pyetur rreth skuadrës.


Çfarë u premton tifozëve?

Do të mundohem t’i lumturoj sa më shumë të jetë e mundur. Ne punojmë të gjithë për të dhënë maksimumin, me qëllim që t’i gëzojmë tifozët të cilët na mbështesin gjithmonë brenda dhe jashtë fushës tonë. Shpresoj që titullin ta sjellim në Rrogozhinë, pasi ky qytet e meriton.