Barazimi me Tiranën, ndonëse vetëm me vlera statistikore, ka ndikuar pozitivisht te skuadra fierake në aspektin psikologjik. E dalë prej kohësh nga gara, Apolonia ka premtuar se do të vazhdojë ndershëm dhe me të gjitha forcat e saj deri në fund ndaj çdo kundërshtari.

Dhe tani fundi është larg vetëm një ndeshje, ku bardhejeshilët do të jenë “bujtës” në “Niko Dovana”, për t’u ballafaquar me “djemtë e detit”. Luajnë dy ekstremet e kampionatit: Teuta kryesuese me Apoloninë e vendit të fundit dhe në letër nuk ka asgjë të komplikuar.

SULMUESI

Sa i përket qëndrimit të vetë fierakëve për ndeshjen me Teutën, është goleadori i skuadrës, Mario Gjata, i cili është në “unison” me linjën e presidentit Kokëdhima Sulmuesi fierak rikujton edhe një herë se Apolonia nuk luan për llogari të askujt dhe nuk i intereson gjë tjetër përveç prezantimit dinjitoz, lojës së fortë dhe burrërore, pa pyetur për emrin e kundërshtarit.

“Ka qenë një sezon i vështirë për ne, por, pavarësisht se nuk realizuam objektivin tonë minimal, mendoj se ky kampionat na ka pjekur e forcuar si skuadër, sepse edhe dështimet të japin mësimet e duhura. Ama, mos harroni: Apolonia ka qenë ekipi më ‘Fair’ (i ndershëm), më korrekti dhe ndër më të ndëshkuarit padrejtësisht në jo pak ndeshje.

Këto nuk i them për të justifikuar renditjen tonë, por si fakte të pakundërshtueshme që janë evidentuar edhe në media”, bën së pari një rezyme të përgjithshme Gjata. Më tej, sulmuesi ndalet gjerësisht te ndeshja me Teutën.

“Është java e fundit e kampionatit dhe ne luajmë në Durrës, në një ndeshje që shumëkush e mendon sikur Apolonia shkon e dorëzuar, se nuk ka interes dhe ndoshta durrsakët e mendojnë si një ndeshje për t’u ‘dëfryer’, por ne nuk bëjmë llogaritë e të tjerëve, prandaj edhe të tjerët nuk kanë pse i bëjnë llogaritë tona. E kemi thënë me qindra herë që nuk lëshojmë deri në sekondën e fundit dhe nuk e kemi bërë këtë gjë vetëm për deklaratë.

Nëse Teuta e mendon të fituar ndeshjen me ne, le ta fitojë në fushë dhe le ta gëzojë fitoren; nëse u shkon mendja për goleadë, ta harrojnë, sepse nuk po shkojmë për piknik dhe le të kujtojnë tri ndeshjet e tjera. Nëse e marrin kaq lehtë dhe nuk na respektojnë meqë luajmë pa objektiva, do ta pësojnë. Partizani dhe Laçi e kanë provuar nga dy herë këtë sezon…”, ka vijuar Gjata. A mund të paragjykohet Apolonia për një ndeshje në interes të të tjerëve?

Goleadori fierak e ka gati përgjigjen: “Po kur humbëm në Fier me Bylisin dhe Skënderbeun, rivalet tona direkte, për interes të kujt e bëmë?! Pse nuk na paragjykuan? Po kur fituam me Kastriotin fazën e fundit, për kë e bëmë?! Paragjykimet nuk i ndalim dot, janë punë e të tjerëve.

Puna jonë është të bëjmë Apoloninë të ndershme dhe korrekte, si gjithmonë. Nuk na ka interesuar dhe as na intereson titulli kampion, le ta marrë kush të dojë. Nuk na intereson as se cila skuadër rrëzohet nga Superiorja, le të rrëzohet cila ta meritojë”, ka thënë i prerë 20-vjeçari.

Për sa i përket së ardhmes, nëse Gjata mendon se ka ardhur koha të ndryshojë mjedis dhe skuadër, vetë sulmuesi “driblon” duke u shprehur: “Është ende shpejt për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje”, përfundon sulmuesi i Apolonisë.